Kosovë, në 7 fakultete të UP-së do të përsëriten zgjedhjet

20/01/2016 00:00

Në 7 fakultete të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” do të përsëriten zgjedhjet për senatorë nga radhët e personelit jo akademik.

Kjo u konfirmua për Top Channel nga kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në UP, Marjan Dema, i cili tha se sipas rregullores së zgjedhjeve, kandidatët duhet të sigurojnë 50%+ 1% të votave, në mënyrë që të zgjidhen si senatorë, kusht ky i cili nuk është plotësuar në shtatë fakultete, ndaj dhe duhet të shkohet në rivotim.

Dema tha se pas 48 orësh sa është afati i paraparë për ankesa, do të vendoset edhe dita e rivotimit.

Anëtarët e Senatit të UP “Hasan Prishtina” do të jenë nga dy përfaqësues prej secilit fakultet. Një përfaqësues i personelit jo akademik dhe dekani i secilit nga fakultetet, të cilët pritet të emërohen ditëve në vijim.

Këto zgjedhje erdhën si pasojë e problemeve të vazhdueshme në Universitetin e Prishtinës, zhvillime të cilat u përcollën edhe me protesta.

Në fund të vitit të kaluar Këshilli Drejtues i UP-së mori vendim për shkarkimin e rektorit aktual Ramadan Zejnullahu, por një ditë më pas ky vendim u shfuqizua nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami.

Në mbrojtje të rektorit Zejnullahu, dolën edhe shoqëria civile, disa organizata studentore, profesionistë të fushave të ndryshme dhe qytetarë të shumtë.

Top Channel