Norvegjia kthen refugjatët në Rusi, kritikohet nga OKB-ja

20/01/2016 00:00

Norvegjia po transporton me autobusë azilëkërkuesit përtej kufirit të saj arktik me Rusinë, pavarësisht kritikave nga OKB dhe temperaturave të ulëta që po i afrohen -30 gradëve.

Autoritetet konfirmuan se të martën në mbrëmje një autobus me 13 burra u nis nga qendra e pritjes në Kirkenes për në kufirin rus. Ministrja e Emigracionit, Silvi Listhaug tha se refugjatët do të dërgohen në qytezat ruse të Nikel dhe Murmansk.
 
Parlamenti norvegjez miratoi masa të ashpra ndaj emigracionit vitin e kaluar, pasi më shumë se 5500 azilkërkues udhëtuan me biçikleta nga Rusia në Norvegji përmes kufirit të Strorskog, një rrugë e konsideruar më e sigurtë se sa kalimi i Mesdheut me gomone.

Norvegjia do t’i kthejë të gjithë mbrapshtë, por Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëroi javën e kaluar se Oslo mund të shkelte konventën e OKB-së për refugjatët. “Ata mund të përfundojnë kush e di se ku, të rrezikuar nga i ftohti ekstrem”, tha Vincent Cochetel, përfaqësues i OKB-së.

Në një lëvizje të paprecedentë nga autoritetet, refugjatëve ju tha se kërkesat e tyre për azil u ishin refuzuar vetëm pak orë para deportimeve, duke mos i dhënë atyre asnjë mundësi për të apeluar kundër vendimit.

Një avokat për azilin në Oslo thotë se kjo është situata më serioze që prej deportimeve të kryera gjatë pushtimit nazist të Norvegjisë dhe ai thekeson se Rusia nuk shquhet për trajtimin e mirë të emigrantëve.

Grupe për të drejtat e azilkërkuesve janë të shqetësuar veçanërisht për emigrantët nga Balokistani i Pakistanit, që konsiderohet një zonë e rrezikshme, e ku ata rrezikojnë të vriten.

Opinioni publik në Norvegji është i ndarë lidhur me çështjen. Disa kanë frikë se numri i refugjatëve që po hyjnë në vend është tepër i lartë, por të tjerë kanë treguar mbështetjen e tyre.

Top Channel