Ligji i pronave, rrëzohet amendamenti “Topalli”

20/01/2016 16:30

Jozefina Topalli nuk është shumë aktive në komisionet parlamentare, por për ligjin e pronave ajo kishte dorëzuar një amendament 2 muaj më parë, që zgjaste ligjin aktual të pronave edhe me një vit.

Qëllimi ishte të distancohej nga ligji i ri i pronave që po bën qeveria, për të cilin thotë se është shpronësim për së dyti i pronarëve.

“Çdo gjë që ne bëjmë mbetet e shkruar. Për çdo gjë që ne vendosim ne do të gjykohemi, sot, nesër dhe pas 100 viteve. Ky ligj që keni sjellë është më i keqi ndër 25 vite. I papranueshëm, i afërt dhe i krahasueshëm me ligjin e tufëzimit dhe kolektivizimit”, deklaroi para komisionit, Jozefina Topalli.  

Amendamenti i ish-kryetares së Kuvendit u fut për diskutim pasi mazhoranca e tregoi vullnetin e saj një ditë më parë kur rrëzoi dekretin e Presidentit, i cili e ktheu ligjin si antikushtetues.

“Ligji nuk e ka siguruar atë që themi siguri juridike, nuk krijuar barazi, por përkundrazi diskriminim. Sot që ne flasim, vetëm 2.5 përqind e pronarëve kanë përfituar nga këto ligje që kemi patur në 25 vjet. 97.5 përqind e tyre nuk kanë përfituar. Pikërisht, në 9 muaj ju vetë me këtë nismë, edhe nëse do ta votonim këtë, nuk mund të zgjidhim atë problem që nuk është zgjidhur për 25 vjet”, reagoi relatorja e socialiste, Vasilika Hysi.

“Nisma nuk ishte për të zgjidhur çështjen e pronës. Ishte një kohë që do t’i jepej qeverisë për të reflektuar vendimet e Gjykatës së Strasburgut”, u përgjigj ish-kryetarja e Kuvendit.

Pa surpriza, amendamenti i ish-kryetares së Kuvendit u rrëzua. Por zonja Topalli dhe përfaqësuesit e tjerë të opozitës ishin të bindur se ligji i qeverisë nuk do të ketë jetëgjatësi.

“Ju mund ta hidhni sot në kanal. Votojeni kundër, votoni edhe nesër kundër, por ky ligj do të rrëzohet dhe do të vijë sërish këtu. Do të vij unë përsëri këtu për të gjetur një zgjidhje kushtetuese dhe në sintoni me vendimet e Gjykatës së Strasburgut”, deklaroi më tutje Topalli.

Kreu i PR-së, Fatmir Mediu ishte më i drejtpërdrejtë dhe më konkret për hapat që do të ndjekë opozita nëse maxhoranca kalon ligjin në seancë parlamentare.

“Kjo betejë sapo ka nisur, nuk mbyllet as me votimin nesër në Kuvend, as me vendimet e njëanshme që mund të merren. Do të shkojë edhe në Gjykatën Kushtetuese, edhe në Gjykatën e Strasburgut”, deklaroi kreu ai.

Top Channel