Raporti i FMN, Vasili: Qëndrimi i Luan Ramës, personal

20/01/2016 16:40

Megjithëse kritikat e Luan Ramës për qeverinë në lidhje me një raport të FMN-së për transparencën fiskale u bënë nga selia e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ato nuk përfaqësojnë qëndrimin e kësaj force politike në bashkëqeverisje me PS-në.

Përmes një deklarate për mediat, kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili tha se qëndrimi i Luan Ramës për raportin e FMN-së është një lexim individual i këtij raporti dhe jo një qëndrim zyrtar i LSI-së.

“Qëndrimi i z. Luan Rama lidhur me raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar nuk është një qëndrim zyrtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Është një lexim individual i tij i këtij raporti. Bashkëpunimi konstruktiv me FMN-në është me rëndësi për vazhdimin me sukses të reformave të nisura”, deklaroi Vasili.

Luan Rama kërkoi nga qeveria një reagim në lidhje me raportin, ndërsa shtoi se FMN paralajmëron qeverinë shqiptare që të bëjë kujdes me koncesionet. Rama tha se partneriteti publik-privat është i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit, por privatët përveçse përfitues duhet të jenë dhe kontribues në ekonomi.

Top Channel