Rriten nafta dhe mineralet, Gjiknuri: Ndryshuam kontratat e koncesioneve

20/01/2016 00:00

Shqipëria publikoi raportin e industrisë nxjerrëse, në bazë të standardeve të nismës për transparencë EITI, sipas të cilit prodhimi në sektorët e naftës, atë minerar dhe hidroenergjisë është rritur me 5 % nga viti 2013 në 2014-n, pavarësisht rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Kontributi i tre sektorëve në buxhetin e shtetit llogaritet në rreth 3.9 % në 2013 dhe 3.5 % në 2014. Por, nga kryqëzimi i të dhënave rezulton se asnjë nga kompanitë private të naftës nuk pagoi tatimin mbi fitimin në këto vite.

Ministri i Energjisë deklaroi për herë të parë se marrëveshjet e reja që po nënshkruhen me kompanitë “Shell” dhe “Navitas” të cilat kanë fituar të drejtën e kërkimit për naftë në Bllokun 4 dhe atë të Dumresë, po kryhen me një model të ri kontrate që vendos për herë të parë tavan mbi shpenzimet.

“Deri sot e gjithë nafta që prodhohej shkonte për të mbuluar shpenzimet e kompanive deri sa ato të rikuperonin faktorin R, pastaj fillonte shteti të merrte të ardhurat përveç rentës, prandaj në raport del qartë që tatimi-fitimi ka munguar gjatë gjithë viteve në industrinë e naftës. Për herë të parë vendosëm një tavan që do të thotë se një pjesë e naftës para se të rikuperohen kostot të futet si naftë e ndashme për fitim, pra që nafta e vlefshme për t’u ndarë mes shtetit dhe privatit fillon që në momentin kur del fuçia e parë”, deklaroi Gjiknuri.

Ministri Gjiknuri u ndal edhe tek marrëveshjet e tjera për të cilat tha se do të rinegociohen.

“Përfshirë këtu edhe kontratën më të madhe atë me ‘Bankers’ për të cilin do të rinegociojmë termat, po pas mbylljes së disa elementëve konfliktuale që kanë të bëjnë me pagesën e tatim fitimit. Për herë të parë u pagua tatim fitim falë punës intensive të agjencive kontrollouese të cilët arritën të reflektojnë dhe të evidentojnë shpenzimet e vërteta të përdorura në industrinë e naftës”, vijoi Gjiknuri.

Qeveria po ndjek të njëjtën praktikë edhe me sektorin e hidroenergjisë ku investimet e reja po kryhen pa garanci blerje energjie nga KESH dhe ku synohet stimulimi i liberalizimit të tregut.

Top Channel