Kosovë, Kuvendi ende pa datë për seancën; pritet mbledhja e Kryesisë

20/01/2016 17:10

Kuvendi i Kosovës ka nisur këtë javë sesionin pranveror, ku disa nga komisionet parlamentare kanë mbajtur mbledhjet e para por Kryesia ende nuk është mbledhur për të caktuar datën e seancës plenare.

Top Channel ka mësuar nga burime pranë kabinetit të kryetarit Kadri Veseli se shtyrja për disa ditë e mbledhjes së Kryesisë ka ndodhur për shkak të disa vizitave të tij jashtë vendit, por edhe të disa prej anëtarëve të Kryesisë.

Sipas të njëjtave burime, Veseli të enjten pritet të dërgojë ftesat tek anëtarët e Kryesisë për mbajtjen e mbledhjes të hënën e ardhshme, për të përgatitur seancën e parë për vitin 2016.

Ashtu sikurse fillimi i sesionit të kaluar të Kuvendit, që nisi me bllokim nga ana e opozitës, edhe sesioni i ri pritet të nisë me të njëjtën qasje nga opozita.

“Edhe në seancën e ardhshme parlamentare, kurdo që ajo të thirret, ne do të vazhdojmë njësoj siç kemi bërë deri tani, për shkak se është komplet e pakuptimtë të vijohet normalisht, përsa kohë situata në vend është tepër e rëndë dhe tepër e tensionuar. Pra, ne i bëjmë thirrje Kryesisë së Kuvendit që të reflektojë dhe të mos thërrasë seancë parlamentare për shkak se në seancë duhet të mbrohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Dhe për sa kohë kemi një kryeministër që e ka shkelur Kushtetutën, nuk ka asnjë kuptim që të vazhdohet me seanca parlamentare”, ka deklaruar deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Haxhiu tha se opozita mund të ulet në bisedime me përfaqësuesit e koalicionit qeveritar vetëm pasi të krijohen kushtet që ato takime të nxjerrin një marrëveshje për dorëheqjen e qeverisë dhe vajtjen në zgjedhje të reja. Nevojën për bisedime e thekson edhe Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e legjislativit kosovar.

“Është keq që Kuvendi dhe partitë politike nuk e shfrytëzuan pushimin dimëror për të tentuar të gjejnë një kompromis për dalje nga kriza politike. Ajo çfarë duhet bërë është që Kryesia e Kuvendit para se të caktojë një seancë plenare të kërkojë nga presidentja e vendit, si përfaqësuese e unitetit të popullit, që të iniciojë një debat ndërpartiak, në mënyrë që të gjenden modalitetet më të përshtatshme për dalje nga kriza politike. Në të kundërt, situata është duke u përshkallëzuar dhe vetëm mund të presim tejkalime, madje edhe të kompetencave të vetë këtyre organeve”, ka deklaruar Albert Krasniqi nga KDI.

Ndërsa opozita po kërkon mosmbajtjen e seancave pa marrëveshje për shkuarje në zgjedhje, partnerët e koalicionit qeveritar po përgatiten që në muajin shkurt të mbajnë dy seanca me rëndësi, atë për zgjedhjen e presidentit të ri dhe ratifikimin e marrëveshjes me Holandën për vendosjen e Gjykatës Speciale në Hagë.

Top Channel