Presidenti Nishani pret ministrin e Jashtëm italian

20/01/2016 18:10

Ministri i Jashtëm italian, Paolo Gentiloni, i cili ndodhet në Shqipëri në kuadër të takimit tripalësh, Shqipëri-Itali-Serbi, u prit edhe nga kreu i shtetit, Bujar Nishani.

Presidenti Nishani përshëndeti praninë e Ministrit të Jashtëm Italian Gentiloni në Tiranë, si pjesë e rëndësishme e dialogut dhe marrëdhënieve mes dy vendeve, duke i vlerësuar ato të shkëlqyera dhe të një partneriteti strategjik.

Kreu i Shtetit e siguroi ministrin e Jashtëm italian për orientimin e qartë e të plotë europian të Shqipërisë, si dhe për angazhimin e strukturave shtetërore shqiptare në kryerjen e reformave të nevojshme dhe përmbushjen e pesë prioriteteve kryesore, me synim afatshkurtër hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE.

“Projekti europian është projekti më madhor dhe strategjik i Shqipërisë, por edhe angazhimet dhe përgjegjësitë për përmbushjen e reformave janë tonat”, u shpreh Presidenti Nishani.

Duke u ndalur tek reformat, Nishani theksoi se ajo duhet të finalizohet sa më shpejt në mënyrë konsensuale dhe të prodhojë një model që ta shkëpusë njëherë e përgjithmonë vendin nga kultura e pandëshkueshmërisë.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe bashkëpunimit për përballimin e krizës së krijuar nga flukset e paprecedenta migratore nga vendet në konflikt, si dhe luftës ndaj ISIS-it, terrorizmit ndërkombëtar, luftëtarëve të huaj dhe krimit të organizuar, për të cilat u evidentua vëmendja që palët u kushtojnë si dhe u theksua nevoja e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm për veprime parandaluese dhe përballimin e tyre me efikasitet të plotë.

Në kuadrin e zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Presidenti Nishani theksoi se politika e jashtme e Shqipërisë është një politikë e konsoliduar dhe e konsideron bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë si shtylla kryesore të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit.

Top Channel