“Fiks Fare”, si mund të blesh karta të paregjistruara në tregun e zi

20/01/2016 20:55

Sot mund të blesh lirisht në treg të zi karta telefonike celulare pa regjistruar të dhënat personale. Ato i blen çdo person më shtrenjtë se çmimi dhe këta numra telefoni janë të aktivizuar.

Emisioni investigativ “Fiks Fare” ka treguar në puntatën e kësaj të mërkure përmes kamerave të fshehta sa e lehtë është të sigurosh karta të tilla nga të 4 operatorët e telefonisë celulare që operojnë në Shqipëri.

Gazetarja ka shkuar tek vendi i njohur si tregu i dollarit, pranë selisë së Postës në kryeqytet, ku ka bërë 8 blerje, 2 për secilin operator.

Fiksi: Mirdita. Jam e interesuar për një kartë që të mos më tregojë identitetin…

Shitësi: Si e do, Vodafone apo AMC?

Fiksi: Vodafone. Dy copë 30 mijë?

Shitësi: Po.

Fiksi: Nuk ka lidhje me identitetin tim, apo…

Shitësi: Jo, jo.

Kartat blihen dhe më pas gazetarja shkon tek një shitese tjetër në të njëjtin treg.

Shitësja: Vodafonin ta jap 15 mijë.

Fiksi: Dua vetëm Plus dhe Eagle.

Shitësja: Ja të shoh në kam…

Fiksi: Pse, ju porosisin?

Shitësja: Po ja, kështu siç vjen ti vijnë edhe të tjerë. Ja… (tregon kartat)

Fiksi: Nuk del emri im apo ndonjë gjë….

Shitësja: Jo, jo. Ja ku e ke numrin. Më mirë njëçikë e si miu, siç thonë…

Gazetarja bën blerje edhe tek një shitës tjetër

Fiksi: Sa do mi japësh të katërta?

Shitësja: 38. Na, provoje AMC-në.

Shitësja i jep kodin PIN. Gazetarja i provon dhe funksionojnë shumë mirë. Vodafon i dërgon edhe mesazhin konfirmues.

Të kontaktuara nga redaksia e emisionit “Fiks Fare”, të katërta kompanitë thonë se: “Këto numra janë të regjistruara pranë kompanive të tyre”.

Për më shumë sqarim, gazetarët kanë intervistuar drejtorin e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Rudolf Papa. “Janë disa rregulla të qarta, ku është arritur ndryshimi në Kod Penal e ku kjo vepër penale është e dënueshme me 30 ditë burgim”, ka sqaruar ai.

Fiksi: Atëherë si ka mundësi që shiten këto karta?

“Legjislacioni parashikon dënime edhe për shumë shkelje të tjera, por fatkeqësisht ka subjekte që vazhdojnë t’i kryejnë këto shkelje. Institucionet veprojnë pas denoncimeve dhe këtë duhet ta bëjë çdo qytetar. Nuk kemi një rast, të paktën të jemi të informuar, për diçka të drejtëpërdrejtë lidhur me këtë aktivitet”, ka thënë Papa.

Top Channel