Koloneli amerikan në pension: Ushtria ruse e asgjëson atë amerikane

20/01/2016 22:10

Pavarësisht përmasave të buxhetit ushtarak, ushtria amerikane nuk është aq e fortë sa mendohet dhe me siguri do të dilte e humbur në një përballje direkte në fushën e betejës me ushtrinë ruse.

Deklarata është bërë nga koloneli në pension i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, Douglas Macgregor, i cituar nga revista “Politico”.

Sipas ish-ushtarakut të lartë, lëvizja e një regjimenti amerikan nga Gjermania në Hungari për të trembur Rusinë është vetëm një tallje dhe nuk do të ndihmonte për asgjë në një skenar real lufte.

Macgragor, i diplomuar me doktoratë për marrëdhënie ndërkombëtare në akademinë ushtarake West Point, është një hero i famshëm luftë në Shtetet e Bashkuara. Skuadrilja e tij shkatërroi një brigadë të tërë të armatosur në 23 minuta gjatë luftës së Gjirit, në Irak.

Por më vonë, duke reflektuar mbi fitoren e tij të famshme, ai tha se, nëse njësia e tij do të ishte gjendur ballë për ballë me një grup ushtarësh të stërvitur, si për shembull të ushtrisë ruse, ajo do të kishte dalë e mundur.

“E mundur nuk është fjala e duhur, e duhura është e asgjësuar”, ka thënë Macgregor së fundmi për gazetarin e çështjeve ushtarake, Mark Perry.

Në nëntor të vitit 2013, kur u prezantua në Kongresin amerikan, koloneli e krahasoi ushtrinë amerikane me një varkë me rrema për 9 persona, në të cilën sipas tij, “4 do të rremonin, 3 do të bërtisnin për ndihmë dhe 2 do të mbanin ison”.

“Edhe pse ushtria amerikane është rritur në 600 mijë njësi, ajo sërish do të dështonte. Ky është problemi dhe, meqë ra fjala, ushtria e di mirë këtë gjë”, ka thënë Macgregor.

Top Channel