Shkaqet e shembjes së urave, Hysenlliu: Prej vitesh nuk bëhet kontrolli teknike

21/01/2016 00:00

Skenat kur urat e sapo ndërtuara shemben tashmë janë kthyer në një rutinë. Moszbatimi i rregullave të ndërtimit, materialet e papërshtatshme që përdoren, por edhe gërryerja e lumenjve si dhe ndërhyrja e politikës për përfundimin e punimeve sa më shpejt, janë disa nga shkaqet që Drejtori i Institutit të Ndërtimit, inxhinier Agron Hysnelliu rendit faktorët kryesorë që sjellin këto problematika.

TCH: Kohët e fundit është vënë re dëmtimi i urave që janë ndërtuar vitet e fundit, ndërkohë që urat e ndërtuara gjatë kohës së komunizmit, por edhe më parë, vijojnë të jenë ende në këmbë dhe pa pasur asnjë lloj dëmtimi. Si shpjegohet kjo diferencë mes ndërtimeve që janë bërë këto 25 vitet e fundit dhe urave që janë ndërtuar më parë?

Agron Hysnelliu: Gjatë viteve të fundit projektimi dhe zbatimi i tyre ka pasur një bum tepër të madh dhe rritja e fluksit të mjeteve nëpër rrugët e Shqipërisë ka qenë tepër e madhe. Një pjesë e këtyre urave nuk janë projektuar dhe nuk janë bërë sipas kushteve teknike të këtyre rrugëve, por janë mbajtur urat e vjetra duke bërë shfrytëzimin me rrugë të reja. Gjithashtu duhet theksuar se gjatë viteve të demokracisë ka pasur shfrytëzime masive të lumenjve dhe moskrijimi i bazës dhe kalimit të ujërave nëpër këto lumenj në mënyrë tradicionale dhe të rregullt. Të gjitha pikat e inerteve në kohën e demokracisë janë bërë nëpër vende ku kanë qenë urat. Të gjitha llojet e inerteve janë shfrytëzuar pa kriter nëpër këmbët e urave dhe si rezultat duke prishur ekuilibrin dhe sistemin e vet punës së urave ka ardhur edhe shkatërrimi dhe dëmtimi i tyre. Njëkohësisht, gjatë këtyre 25 vjetëve të fundit urat nuk janë mirëmbajtur, nuk ka një fond të veçantë për mirëmbajtjen dhe mbikëqyrjen e tyre. Një tjetër proces që ndikon në prishjen e këtyre urave është edhe kryerja e shpejtë e punimeve brenda veprës për efekte të ndryshme.

TCH: Cilat janë procedurat që ndiqen që nga projektimi deri në finalizimin e një vepre ose një ure?

Agron Hysnelliu: Në ligjin për ndërtimin përcaktohet qartë se si duhet të kryhet një proces në ndërtim. Fazat e procesit në ndërtim janë dy; faza e projektimit dhe faza e zbatimit. Duhet të kalojë dhe një lloj testi tjetër, që është detyrë funksionale e Institutit të Ndërtimit, kryerja e kontrollit teknik ose siç njihet ndryshe oponenca teknike. Në të kaluarën normat teknike nuk janë kryer, ndërsa që prej ardhjes së qeverisë së re këto janë kryer. Dua të theksoj dhe është tepër e rëndësishme që të bëhet kontrolli teknik i projektit dhe kontrolli teknik i zbatueshmërisë së veprës. Kjo është e domosdoshme sepse në kontrollin teknik të zbatueshmërisë së veprës hyn dhe kontrolli i materialeve të ndërtimit që është tepër e rëndësishme për një urë.

TCH: Kush e ka për detyrë ta bëjë këtë?

Agron Hysnelliu: Kontrolli teknik i zbatueshmërisë së veprës kryhet në mënyrë private dhe e kanë për detyrë ta bëjnë inxhinierët e licencuar dhe firmat e licencuara për supervizionin dhe kolaudimin e objektit. Ndërsa kontrolli teknik për sa i përket projektit e ka për detyrë ta bëjë Instituti i Ndërtimit dhe të gjitha institucionet janë të detyruara sipas ligjit që të bëjnë kontrollin e projektit në Institutin e Ndërtimit.

TCH: Si është situata aktuale e urave në Shqipëri nga ajo që ju keni parë?

Agron Hysnelliu: Unë mendoj se sot, me gjithë këtë kaos urban që kemi pasur, duhet patjetër që të gjitha urat të kalojnë në një test statiko-denamik. Të kontrollohen urat me të gjitha elementët e tyre, që nga këmbët, pjesët horizontale dhe vertikale të tyre, si dhe aksesorët e tjerë të tyre. Njëkohësisht pasi të bëhet ky kontroll i përgjithshëm për këtë vepra, duhet të shikohet mënyra për riparimin e tyre me llogaritje bashkëkohore dhe sipas kushteve teknike shqiptare dhe atyre europiane. Është tepër e rëndësishme që kjo të bëhet sepse gjatë 25 vjetësh politika ka ndikuar dhe shpejtësia e kryerjes së këtyre veprave, mënyra e kryerjes së këtyre veprave ka lënë shumë për të dëshiruar. 

Top Channel