Me sytë drejt energjisë solare

21/01/2016 00:00

Erisa Lamaj – Shqipëria, një vend i bekuar, me një klimë mesdhetare me verë të nxehtë dhe të thatë e me dimër relativisht të butë ofron mundësinë e shfrytëzimit të këtyre burimeve të pashtershme për prodhimin e energjisë elektrike. Lind pyetja: A kemi arritur t’i përdorim me efikasitet këto burime natyrore të dhuruara nga natyra pa kosto shtesë? E vërteta dhemb, por duhet pranuar, vuajmë nga mungesa e iniciativës dhe e gjenerimit të ideve të reja.

Aktualisht, në Shqipëri prodhimi i energjisë elektrike vjen kryesisht nga energjia e rinovuar e më saktësisht nga ajo hidrike. Kërkesa vjetore për energji sa vjen edhe rritet nga viti në vit, për shkak të zhvillimeve ekonomike apo rritjes së rolit të turizmit. Nevojat e konsumit kombëtar plotësohen vetëm 50% nga energjia e brendshme e prodhuar nga hidrocentralet, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga importi. Megjithëse është energji e prodhuar nga riciklimi i ujit, personalisht kam rezerva të mëdha për raportin përfitim/kosto që këto kompani po i shkaktojnë natyrës. Shfrytëzimi vetëm i rezervave hidrike na bën të qëndrojmë me sytë nga qielli dhe të lutemi që natyra të tregohet bujare edhe këtë vit, për të na falur një dimër të butë e me rezerva të mjaftueshme hidrike për të prodhuar energji. Diversifikimi i portofolit të burimeve të energjisë do të ulte kostot, do të zbuste deficitin financiar që ky sektor ka krijuar, si dhe do të plotësonte një nga kushtet kryesore të Direktivës Europiane për reduktimin e dyoksidit të karbonit në natyrë. Kemi harruar që kemi burime të shumta të energjisë diellore të pashfrytëzuara, sepse tregu i energjisë solare në Shqipëri është pothuajse inekzistent. Shqipëria bën pjesë në rripin sub-tropikal me një rrezatim diellor mesatarisht 1300 kWh/m2/vit (në Myzeqe arrin pikun deri në mbi 1600 kWh/m2/vit), duke ofruar kushte të favorshme për zhvillimin e energjisë diellore.

Ligji aktual nr. 138/2013 për Burimet e Energjisë së Rinovueshme është shumë sipërfaqësor dhe shumë larg objektivave të Planit Kombëtar për Energjinë e Rinovueshme. Ky ligj nuk është gjithëpërfshirës, për faktin se mbulon vetëm energjinë hidro, atë solare për ngrohjen e ujit, si dhe përdorimin e energjisë së burimeve të rinovueshme për transport. Qartësisht mungon një plan i detajuar për burime të tjera të energjisë së rinovueshme, si? janë energjia solare, e erës, biokarbureve etj. Mungesa e një programi të detajuar e incentivues për këtë sektor na ka ?uar në një situatë financiare që përkeqësohet gjithmonë e më shumë. Është koha për ta revolucionarizuar këtë sektor. Korrja e fryteve të reformave radikale sigurisht që nuk mund të jetë e menjëhershme, por efektet do të jenë kolosale, sidomos për brezat që do të vijnë më pas.

Shqipëria aspiron për t’u bërë pjesë e familjes europiane dhe tashmë është bërë pjesë e Direktivës së Bashkimit Europian për sa i përket energjisë së rinovueshme dhe eficiencës së energjisë. Objektivat kombëtare në kuadër të Direktivës së BE-së janë shumë ambicioze, por nga ana tjetër, mënyra sesi kodi ligjor është ndërtuar nuk përputhet me qëllimin final. Që të arrihen objektivat kombëtare duhen bërë shumë ndryshime në kodin ligjor për energjinë e rinovueshme, duke përkrahur investitorët e huaj dhe të brendshëm me një program të qartë e të organizuar mirë. Por nëse kthejmë kokën pas, ajo ?ka bie në sy në tregun shqiptar të energjisë, është trendi i energjisë së hidrocentraleve. Edhe pse kemi mjaftueshëm burime dhe kushte të favorshme për zhvillimin e energjisë së erës apo diellore, këto mbeten ende një fushë e paeksploruar.

Politikat stimuluese (incentivuese) të vendeve të zhvilluara europiane nuk janë përqendruar vetëm në energjinë hidro, por edhe në atë diellore e të erës. Natyrisht, kjo lloj energjie kërkon investime të konsiderueshme, por lajmi i mirë është se kostoja e paneleve diellore apo të erës është gjithmonë në ulje. Çdo investitor, përpara se të investonte në një biznes të tillë, fillimisht do të shtronte disa pyetje, si për shembull: Çfarë lehtësirash fiskale më ofrohen? Kush do ta blejë energjinë e prodhuar? Me ?farë çmimi? Të ardhurat nga ?mimi i shitjes së energjisë a i mbulojnë kostot operative të biznesit? Nëse fluksi i kasës ndër vite (cash flow) do të mbulojë investimin fillestar a do të gjenerojë mjaftueshëm cash për të arritur objektivin e kthimit të investimit (Interest Rate of Return)?

Nëse një investitor i huaj që do të dëshironte të investonte në vendin tonë përgjigjen do ta nënkuptonte menjëherë që nga mangësia e kapaciteteve të autoriteteve përgjegjëse për rregullimin e tregut të energjisë, për të mos shkuar më tej me kodin ligjor që lë shumë për të dëshiruar. Nëse do të merrej në konsideratë përvoja e vendeve të zhvilluara, si Italia, Gjermania, Anglia etj., apo edhe e atyre fqinje si Bullgaria e Rumania, natyrisht që sektori i energjisë nuk do të ndodhej në këtë situatë kaotike të akumuluar prej vitesh me një borxh prej qindra miliona euro ndaj FMN-së. Italia, e para në botë për sa i përket prodhimit të energjisë fotovoltaike me 23 TWh, ku mbulon 7,5% të kërkesës kombëtare, u ofron investitorëve të saj një sërë përfitimesh fiskale e financiare. Kodi i saj ligjor për energjinë diellore ka pësuar ndryshime nga viti në vit, duke nisur nga viti 2009 për të arritur sot në “Quinto Conto Energia”. Politikat favorizuese, si? është garantimi i investitorëve për blerjen e energjisë me një tarifë fikse (Feed in Tariff) shumë më të lartë se tregu ofron, për një periudhë 20-vjeçare, në radhë të parë sigurinë e shitjes së prodhimit final, energjisë. Së dyti, si rrjedhojë e blerjes së energjisë u garanton atyre fitime të mjaftueshme për të amortizuar investimin fillestar në pak vite.

Ajo që shteti shqiptar siguron është dhënia pa limit e koncesioneve me apo pa meritë, premtime boshe, pa garantuar blerjen e energjisë. Natyrisht, rregullimi i tregut ka kostot dhe përfitimet e veta. Kostot do të reflektohen në çmimin e energjisë ose me sakte në faturën që ?do klienti do t’i ngarkohet. Prej vitesh, në Itali apo në vende të tjera të zhvilluara ku aplikohen politika incentivuese për energjinë e rinovueshme, klientët finalë paguajnë një përqindje të caktuar (10% në Itali) të faturës së energjisë shtesë pikërisht për energjinë e gjelbër. Sa u përket përfitimeve raporti është shumë më i madh, por efektet do të ndihen në një periudhë afatgjatë. Sektori do të futet në shinat e duhura financiare, nuk do të jetë nevoja për importim të energjisë nga jashtë, do të zvogëlohej borxhi publik, si dhe do të ulej ndotja e mjedisit.

Hedhja e vështrimit drejt energjisë së gjelbër (sidomos ajo diellore dhe të erës) është një domosdoshmëri kombëtare jo vetëm për gjendjen kaotike në të cilën ndodhemi në këtë sektor, por edhe për një objektiv global. Presidenti i SHBA-së, Barac Obama, së fundmi në kuadër të masave që vende të ndryshme të botës po ndërmarrin për të zvogëluar efektin serë që globalizimi po na dhuron, tha: “Ne jemi brezi i parë që ndiejmë pasojat e ndryshimeve klimaterike dhe brezi i fundit që mund të bëjmë diçka kundër kësaj dukurie. Kemi vetëm këtë planet për të banuar, nuk kemi alternativë tjetër”.

Në konferencën e Parisit të zhvilluar në fillim të muajit dhjetor, “COP21”, u mblodhën me shumë së 190 kombe për të diskutuar një marrëveshje të mundshme globale për ndryshimet klimaterike, të cilat synojnë reduktimin e emisioneve të gazit serë për të shmangur kërcënimin e ngrohjes globale për shkak të veprimtarisë njerëzore. Marrëveshja është konsideruar shumë ambicioze, por edhe skeptike nga ekspertë të ndryshëm, pasi synon që të kufizojë rritjen e temperaturave globale në më pak se 2°C, e cila do të vijë në jetë në vitin 2020. Marrëveshja e arritur do të jetë pjesërisht e detyrueshme dhe pjesërisht vullnetare. Çdo vit, 100 milionë dollarë do t’u akordohen vendet në zhvillim në kuadër të këtij programi deri në vitin 2020, me një angazhim për financim të mëtejshëm në të ardhmen. Progresi i këtyre politikave do të jetë nën vëzhgim çdo 5 vjet.

Disa mendojnë se Marrëveshja e Parisit sinjalizon fillimin e një revolucioni dhe fundin e një biznesi, atij të fosileve. Feedback-u i kësaj marrëveshjeje do të ndihet gradualisht, duke u reflektuar në uljen e çmimit të aksioneve të kompanive që veprojnë në sektorin e fosileve, si dhe rritjen e interesit mbi energjinë e rinovuar. Objektivi është që qeveritë e vendeve të ndryshme të vendosin më shumë presion mbi investimet e qymyrit përmes emisioneve apo standardeve të efikasitetit, taksave apo ngurtësimin e programeve të ndryshme të tregtisë dhe rritjen e përkrahjes së investimeve në energjinë e rinovuar, si ajo diellore, e erës, biokarburanteve etj.

Tashmë mbetet në tryezën e secilës prej qeverive të vendeve pjesëmarrëse të mendojnë seriozisht për mënyrën e implementimit të planit të tyre dhe sesi ato dhe sektori privat do t’ia arrijnë këtij qëllimi.

Sinjal i qartë apo zhurmë e paqartë? Mbetet për t’u zbuluar në të ardhmen nëse kjo marrëveshje do të jetë e dështuar siç ndodhi me marrëveshjen e Kopenhagës në vitin 2009 apo do të shënojë një kthesë historike në shpëtimin e planetit tonë nga ngrohja globale.

Për ta përmbyllur, duke kthyer edhe njëherë vështrimin nga situata ku ndodhet tregu i energjisë së rinovuar në vendet e zhvilluara dhe marrëveshja e fundit e realizuar në Paris mendoj se është momenti i duhur që të veprojmë. Tregu i energjisë solare (photovoltaic) dhe i energjisë së erës (wind power) në vendet e zhvilluara tashmë është maturuar dhe programet incentivuese po pësojnë tkurrje gjithmonë e më shumë, për shkak të arritjes së objektivave kombëtare të prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme. Ajo ?ka mbetet nga ky sektor është gjallërimi i tregut sekondar, M&A (Mergers&Acquisitions). Investitorët gjithmonë e më shumë po hedhin sytë drejt vendeve në zhvillim, aty ku ky sektor është ende i virgjër dhe kushtet klimaterike, politike e fiskale janë të favorshme për t’u zhvilluar. Nëse natyra na ka dhuruar kushte të përshtatshme klimaterike, atëherë përse të mos punojmë për të përmirësuar ato faktorë ku kemi fuqinë e ndryshimit?!

Gazeta “Shqip”

Top Channel