Australian Open, Murray dhe Azarenka në raundin e tretë

21/01/2016 00:00

Andy Murray i bashkohet Novak Djokovic dhe Roger Federer në raundin e tretë të Australian Open.

Tenisti britanik mposhti në ndeshjen e tij të radhës në këtë aktivitet Sam Groth me rezultatin 3-0. Ishte një fitore e lehtë kjo e numrit 2 të botës, i cili e mbylli shumë shpejt këtë takim. Seti i parë nuk kishte histori, pasi Murray e fitoi 6-0. Në setin e dytë Groth bëri më shumë rezistencë, por britaniku e mbylli edhe këtë fraksion në favor të tij 6-4, ndërsa setin e tretë e mbylli 6-1.

Kundërshtari i radhës për Murray do të jetë portugezi Joao Sousa.

U kualifikuan për në raundin tjetër edhe Monfils e John Isner, të cilët mundën respektivisht Mahut dhe Granollers.

Në kampin e femrave, Azarenka dhe Muguruza vazhdojnë të shfaqen në një formë shumë të mirë, duke u kualifikuar pa shumë probleme për në raundin e tretë të Australian Open. Tenistja bjelloruse u përball në raundin e dytë me malazezen Danka Kovinic, ndaj së cilës iu deshën vetëm 63 minuta lojë për të mbyllur këtë takim në 2 sete (6-1 dhe 6-2).

Ndërsa spanjollja Muguruza u kualifikua për në raundin e tretë pasi mposhti Flipkens me rezultatin 2-0. Numri 3 i botës e kontrolloi mjaft mirë këtë sfidë, setet e së cilës i mbylli  6-4 dhe 6-2.

Një vend në raundin e tretë siguroi edhe Ana Ivanovic, e cila mundi 2-0 letonezen Sevastova.

Top Channel