PD: Rama dhe Tahiri tradhtuan dëshmitarin e drejtësisë, favorizojnë Aldo Baren

21/01/2016 12:55

Partia Demokratike denoncoi të enjten se dëshmitari që bëri të mundur dënimin e bandës së Lushnjes është lënë nga shteti pa mbrojtje dhe pa mbështetje.

“Denoncimi në media i Arben Kices, që bëri të mundur dënimin e bandës së lushnjes që solli drejtësi për krimet çnjerëzore të Aldo Bares, është tronditës dhe tregon se si ai trajtohet si armik nga çdo hallkë e shtetit. Në vend që dëshmitari i drejtësisë të gëzonte privilegje, sipas ligjit, ai jo vetëm është lënë në mes të katër rrugëve, pa mbrojtje e pa mbështetje, por luftta e qeverisë ndaj tij shkon deri aty sa ai nuk regjistron dot as vajzën në shkollë. Ky rast skandaloz tregon fytyrën e vërtetë të qeverisë, të Edi Ramës e Tahirit të tij, që bëjnë lloj-lloj paktesh me krimin, i ofrojnë lehtësi bandave e trafikantëve, dhe nga ana tjetër i nxijnë jetën një dëshmitari drejtësie”, deklaroi Alibeaj, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD.
 
“Ky është modeli dhe ideja që Edi Rama ka për drejtësinë. Kjo është një tradhëti që i bëhet shtetit, parimeve të tij, drejtësisë dhe një favor ndaj bandës së Aldo Bares. Partia Demokratike i bën thirrje zyrave përgjegjëse të ofrojnë shërbimet që dëshmitarit i takojnë me ligj, e të mos bëhen pjesë e kësaj skeme kriminale të ndëshkimit të dëshmitarit dhe familjes së tij”, shtoi Alibeaj.

Top Channel