Studentët protestojnë për pagesat, bllokojnë hyrjen e Shkencave Sociale

21/01/2016 14:10

Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale kanë bllokuar hyrjen kryesore të godinës, në shenjë proteste ndaj rritjes së tarifave që familjet e tyre duhet të paguajnë.

“Me zënien e derës së fakultetit tonë ne u tregojmë qeveritarëve dhe burokratëve, se siç po na pamundësojnë shkollimin do t’u pamundësojmë drejtimin. Prandaj i kërkojmë Këshillit të Ministrave të marrë vendimin për uljen e ndjeshme të tarifave studentore”, tha një studente.

Pas dy orësh, kancelarja e fakultetit ka pranuar që tarifat vjetore mund të paguhen deri në fund të vitit dhe asnjë student nuk do të penalizohet.

“Tek Shkencat Sociale tarifa është 400 mijë lekë të vjetra. Për studentët është e pamundur të paguhet menjëherë. Është kërkuar dhe tashmë u miratua, me kancelaren që tha se do të merret parasysh dhe se deri në fund të vitit studentët do mund ta paguajnë me këste ose në momentin që do të munden”, tha një tjetër studente në përfundim të protestës.

Lëvizja për universitetin do të vijojë protestat e saj në fakultete të tjera të kryeqytetit, ku do të kundërshtojë reformën e arsimit të lartë.

“Ne i kemi kërkuar qeverisë të ulë vit pas viti tarifat studentore, meqenëse shkolla është bërë e papërballueshme nga një masë e madhe e studentëve dhe të çelë një plan pune që do parashikojë bërjen e arsimit publik falas për kë meriton të vazhdojë shkollën. Hapi i radhës do vijojë në fakultete të tjera, ku do të bllokojmë jetën universitare për të bllokuar ligjin për arsimin e lartë dhe efektet e tij”, deklaroi pedagogu Arlind Qorri, i Shkencave Sociale.

Edhe pse ligji i arsimit të lartë është miratuar, universitetet publike janë të papërgatitura për zbatimin e tij. 

Top Channel