Totozani: Testimi, jo shkak për largime nga puna, por rritjen  e kapaciteteve

21/01/2016 00:00

Largimi i 24 punonjësve të Qendrës së Zhvillimit në Shkodër është bërë shkak që Avokati i Popullit Igli Totozani të reagojë duke i dërguar një rekomandim Ministrisë së Mirëqënies Sociale.

“Duke marrë shkas nga kjo ankesë, në një hetim më të gjerë që Avokati i Popullit ka kryer, është konstatuar se nga 557 punonjës të institucioneve të përkujdesit social publik, nuk kanë arritur të kualifikohen në testim 173 punonjës. Avokati i Popullit gjykon se testimi, për sa kohë nuk është parashikuar si i tillë në akte normative, nuk duhet të  përbëjë shkak për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës, por të shërbejë për ngritjen e kapaciteteteve, nëpërmjet trajnimeve, kualifikimeve të ndryshme, etj. -Duke iu referuar Kodit të Punës, në asnjë dispozitë nuk parashikohet që ndërprerja e marrëdhënieve të punës mund të bëhet për shkak të moskualifikimit në testime të njohurive”, thuhet në letër rekomandimin e Totozanit.

Z. Totozani thotë se është shkelur edhe rregullorja për vlerësimin e njohurive. “Nga kjo rezulton, se ky penalizim që u bëhet punonjësve në Institucionet e përkujdesit social publik, shkon përtej parashikimeve të kësaj Rregulloreje. Në të gjithë frymën e Urdhërit, nuk rezulton që testimi ose vlerësimi i njohurive dhe aftësive praktike të bëjë shkak për ndërprerjen e marrëdhenieve të punës. Testimi 2 vjeçar periodik i parashikuar në nenin 15 të Urdhërit të mësipërm, nënkupton që të evidentohen nevojat dhe mangësitë e stafit për ngritje kapacitetesh dhe jo për të rrezikuar vazhdimësinë në punë. Rreziku i ndërprerjes së marrëdhënieve të punës për shkak të këtij testimi, përbën një cënim të parimit kushtetues të sigurisë juridike”, vijon Avokati i Popullit.

Top Channel