Shëndetësia falas? Beqaj: Më 27 janar hyn në fuqi ligji i ri

21/01/2016 16:45

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, përveç akuzave për korrupsion në sektorin e shëndetësisë në adresë të ministrit Ilir Beqaj, i kujtoi maxhorancës edhe premtimin për shëndetësi falas.

Deklarata e deputetes së opozitës shkaktuan reagimin e ministri Beqaj, i cili tha se shërbimi shëndetësor falas nis nga mjeku i familjes dhe reforma në shëndetësi do të vazhdojë për të rritur gamën e shërbimeve dhe barnave falas për qytetarët.

“Ligji i ri përcakton se qytetarët mund të vizitohen tek mjeku i familjes pa pagesë. Ligji hyn në fuqi më 27 janar. Më 11 u botua në Fletoren Zyrtare sepse më 4 janar u dekretua. Regjimi aktual 1 në 5 shqiptarë e linte pa mjek familjeje. E nisëm me kontrollin bazë pa pagesë dhe që nga data 27 janar do të vijojmë me mjekun e familjes. Sigurisht mjeku i familjes nuk mjafton dhe ne do të vazhdojmë të zgjerojmë gamën e shërbimeve falas në shëndetësi”, tha Beqaj.

Deputetja Vokshi iu rikthye raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për një tender të fituar nga kompania Intech+.

“KLSH gjen qartë që ky tender nuk duhej të ishte bërë. KLSH thotë që tenderi ku ka aplikuar vetëm Intech duhej të ishte anuluar dhe duhej të ishte bërë nga e para”, deklaroi ajo, duke shtuar se në shëndetësi po abuzohet edhe me medikamentet.

Top Channel