Debate në Kuvend për koncesionin e TVSH-së

21/01/2016 20:00

Demokratët akuzuan Qeverinë në Kuvend për atë që quajtën “koncesioni më i fundit që po përgatitet të jepet”, e që sipas tyre do të bëjë mbledhjen e të ardhurave.

“Administrimi i TVSH, le të ndalemi pak. Nëse ministria është çmendur, përfaqësuesit e popullit në këtë sallë nuk kanë lajthitur. Natyrëshm lindin disa pyetje që duan përgjigjie përkatëse. A ka një vlerësim të besueshëm që të thotë se TVSH po shkon keq? Sot të gjitha veprimet i bën privati, i bën subjekti i TVSH-së dhe e bën pa para. Por ne i themi jo, nuk e duam pa para, e duam me koncesion! Ky koncesion mund të shkojë nga 10 deri në 30 milionë në vit, për çfarë? Pse duhet t’ja japim në një kohë që është falas dhe po e bën privati më mirë se shteti. Vetëm funksioni kontrollues është në duart e shtetit. Nuk e teproj po të them që kjo nuk është çmenduri, kjo është vjedhje e hapur dhe ne duhet të lemë urgjent diskutimet dhe të merremi me këtë devijim të madh nga misioni ynë kushtetues në funksion të republikës. Me këtë akt, rrezikon që republika të bëhet rrush e kumbulla.

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani reagoi duke deklaruar se koncesionari nuk do të merret me të ardhurat.

“Nuk merret me të ardhurat! Nuk bën mbledhjen e TVSH-së. Është për një platformë informative në ndihmë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Kjo është”, deklaroi Cani.

Por ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deklaroi se pikërisht ministri që mohoi koston e këtij koncesioni, i ka shkruar një letër kryeministrit Edi Rama, ku e kundërshton këtë nismë si të papranueshme.

“Ky është i kohës së komunizmit, çdo gjë e bën me letra që kur të vijë prokuroria të hetojë e të thotë unë kam qenë kundër po ma imponunë. E dini kush e merr këtë koncesion 300 milionë euro për 10 vjet? Fiks vëllai i kryeministrit”, deklaroi Topalli.

“Nuk bëhet fjalë fare! Të gjithë kostot operative do t’i mbajë privati. Risku ynë është zero”, reagoi Cani.

Top Channel