Ekstradohet i dyshuari i vendosjes së bombës në farmacinë e të atit të Tahirit

21/01/2016 21:45

Është ekstraduar nga Stokholmi i Suedisë shtetasi shqiptar, Baftjar Bruka, i shpallur në kërkim ndërkombëtar si autor i dyshuar i vendosjes së lëndës shpërthyese me komandim në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Bruka, i datëlindjes 20 qershor 1991 në Kukës akuzohet për “vepra me qëllime terroriste”, “krijimin e grupit të strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Mbi bazën e këtyre akuzave, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ka caktuar ndaj këtij shtetasi masën e arrestit me burg me një vendim të dhënë më 25 shkurt të vitit të kaluar.

Veç vendosjes së bombës në farmacinë e babait të Saimir Tahirit, Bruka dyshohet edhe për atë të vendosur në një stacion autobusi pranë urës në “Vasil Shanto”, edhe kjo në të njëjtën ditë.

Ndaj të ekstraduarit nuk ka përfunduar ende procesi gjyqësor, në fund të të cilit, nëse gjendet fajtor rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm.

Top Channel