Sulmet në Paris, Hasna Boulahcen vdiq nga asfiksimi

21/01/2016 00:00

Prokurorët në Francë thanë se gruaja që vdiq në aksionin policor pas sulmeve të Parisit humbi jetën për shkak të asfiksimit, duke kundërshtuar akuzën e familjes së ajo ishte vrarë.

26-vjeçarja Hasna ait Boulahcen vdiq në pallatin në Saint Denis bashkë me të dyshuarin tjetër dhe kreun e grupit, Abdelhamid Abaaoud. Avokati i familjes, Fabien n’Doumoi tha se ajo mund të ishte qëlluar nga oficerët.

Por, prokurorët deklaruan se autopsia tregon se ajo vdiq nga asfiksia pas shpërthimit të një kamikazi.

Disa ditë pas aksionit që u zhvillua më 18 nëntor u raportua se 26-vjeçarja kishte hedhur veten në erë, por ky pretendim u rrëzua sërish më vonë, pasi prokurorët deklaruan se një i dyshuar i tretë, Chakib Akrouh, kishte veshur jelek me eksplozivë.

Nëna, vëllai dhe motra e Hasnas kanë parashtruar ankesë vrasjeje ndaj personave të panjohur. Ata po kërkojnë që trupi i saj të rikthehet për varrim dhe të gjenden shkaqet e vdekjes së saj.

Mediat franceze raportuan se Boulahcen, kushërira e Abaaoud, ishte përgjegjëse për gjetjen e banesës ku ai fshihej, duke çuar policinë aty 5 ditë pas sulmeve të Parisit.

Top Channel