Somali, dhunohet zona turistike; 20 viktima

22/01/2016 00:00

Militantët islamikë sulmuan restorantet në një zonë turistike të bregdetit në kryeqytetin somalez Mogadishu, duke vrarë 20 persona. Dy autobomba shpërthyen mbrëmjen e së enjtes dhe pas shpërthimeve, agresorë të armatosur u shfaqën në plazh duke qëlluar mbi njerëzit.

Autoritetet lokale thanë se forcat e sigurisë u përballën me terroristët për rreth 8 orë derisa u eleminuan që të gjithë agresorët. Sulmi u mor përsipër nga organizata terroriste Al-Shabab, e cila ka kryer shpesh akte të tilla në kryeqytetin somalez.

Autoritetet thanë se sulmi ishte i ngjashëm me ato të Parisit dhe terroristët hapën zjarr ndaj klientëve në restorante, madje në një rast morën edhe pengje.

Sipas policisë, kreu i grupit të terroristëve u arrestua, ndërsa ende nuk është e qartë nëse bilanci makabër përfshin terroristët e tjerë të vrarë. Mediat lokale përshkruan skenat e panikut në plazh, ndërsa njerëzit përpiqeshin që t’i shpëtonin si të mundnin breshërive të plumbave. Al-Shababi, që ka lidhje me Al-Kaedën, u dëbua nga Mogadishu gushtin e vitit 2011, por ende është mjaft aktiv në shumë zona të Somalisë.

Javën e shkuar ky grup terrorist sulmoi një bazë të Unionit Afrikan në jug të Somalisë, duke vrarë dhjetëra trupa keniane.

Top Channel