Arrestohet në Angli i shumëkërkuari, punonte në restorantin ku policët konsumonin drekën

22/01/2016 00:00

Piotr Kupiec, 28 vjeç, i cili cilësohej si një nga njerëzit më të kërkuar në botë, është arrestuar ndërsa punonte në një restorant në qytetin e qetë të Wiltshire në Angli.

28-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga autoritetet polake pas vrasjes së një tifozi të ekipit të Krakow-ias. Mediat britanike shkruajnë se ai është arrestuar në një restorant, ku shpesh policët konsumonin drekën.

Kupiec u rendit në listën e Interpolit si një ndër personat më të kërkuar në lidhje me një hetim për vrasje. Ai akuzohet për plagosje me pasojë vdekjen, si dhe për vjedhje. Raporten thonë se Piotr Kupiec është përfshirë në një përleshje mes tifozëve të Wisla Krakow dhe Korona Kielce FC në vitin 2007 në Poloni.

Një tifoz i Korona Kielce u godit me thikë në këtë përleshje, ndërsa më vonë ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.

Kupiec ishte në kërkim prej 8 vjetësh dhe tashmë flitet se ai mund të ketë të paktën 4 vjet që ndodhej në Devizes, ndërsa frekuentonte edhe një palestër lokale gjatë kësaj kohe.

Kolegët dhe klientët e përhershëm të restorantit ku ai punonte prej kohësh mbetën të tronditur pas arrestimit dhe publikimit të ngjarjes ku 28-vjeçari ishte i përfshirë, ndërsa u shprehën se Kupiec kishte një sjellje të mirë dhe ishte mjaft miqësor.

Restoranti ku polaku i shumë kërkuar punonte nuk është më shumë se 300 metra larg nga rajoni i policisë së Wiltshire dhe është mjaft i frekuentuar nga oficerët dhe stafi.

Mediat polake shkruajnë se policia britanike kishte arrestuar dy persona me të njëjtin emër më parë, në 2009 dhe në 2010, të cilët pas verifikimeve ishin lënë të lirë.

Top Channel