Polici qëllohet me armë, por e çon deri në fund detyrën e tij

22/01/2016 00:00

Policia e Cape Town në Afrikën e Jugut ka publikuar së fundmi një video, ku një oficer policie është qëlluar me armë në shpinë, ndërsa ishte duke ushtruar një kontroll rutinë në një automjet. Veprimi i kryer më pas nga oficeri është me të vërtetë për t’u marrë shembull jo vetëm nga policët shqiptarë.

Nizaam Alexander është shpallur “polici i vitit” për guximin e jashtëzakonshëm të treguar në këtë ngjarje.

Pamjet e marra nga kamera e vendosur në makinën e policisë, tregojnë oficerin e policisë teksa është duke komunikuar me drejtuesin e një automjeti të ndaluar, ndërsa nga pas vjen një tjetër person, i cili qëllon mbi oficerin. Alexander reagon menjëherë duke u përgjigjur me armë, ndërsa kërkon edhe përforcime. Për fat të mirë ai mbante veshur antiplumb dhe i shpëtojë kësaj ngjarje, megjithëse mbeti i plagosur lehtë.

Në pamundësi për të kapur personin që e sulmoi, polici rikthehet te Mercedesi për të kryer detyrën që kishte nisur fillimisht.

Përkushtimi dhe guximi i jashtëzakonshëm i treguar nga Nizaam Alexander i dha atij titullin e policit të vitit.

Në një deklaratë të Policisë Rrugore në Cape Town thuhet: “Edhe pse oficeri u qëllua me armë, ai ka vazhduar të kryejë detyrën e tij”.

Top Channel