Dy tragjedi të reja detare me viktima refugjatë nga Lindja e Mesme dhe Azia kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes në ujërat e Egjeut.

Tragjedia më e madhe ka ndodhur në zonën detare pranë ishullit Kalolimni kur një barkë druri e mbushur plot me emigrantë është mbytur.

Pas një operacioni që ende vazhdon, forcat e marines greke detare kanë mundur të shpëtojne 26 refugjatë, ndërsa kanë gjetur trupat pa jetë të 35 të tjerëve prej tyre 11 fëmijë, 17 gra dhe 7 burra.

Organet greke shprehin shqetësimin se numri i viktimave mund të rritet pasi sipas të shpëtuarve në barkën e mbytur thuhet se ndodheshin nga 70 deri në 100 vetë.

Ndërsa në orët e para të mëngjesit 6 fëmijë dhe 2 gra kanë humbur jetën kur barka e cila i transportonte nga brigjet turke drejt ishullit grek Farmakonisi është përplasur në shkëmbinj dhe është mbytur.

Menjëherë një anije e marines detare ka shkuar në zone dhe ka mundur të shpëtojë një vajzë, ndërsa 40 refugjatë të tjerë kanë mundur të dalin vetë në breg.

Dy tragjeditë e reja në të cilat kanë humbur jetën brenda disa orësh 17 fëmijë kanë ndodhur vetëm disa orë para takimit në kryeqytetin gjerman midis kancelares Merkel dhe kryeminsitrit turk Davoutoglou me temë kryesore krizën e refugjatëve.

“Për sa i përket palës europiane ne do të vendosim në dispozicion të Turqisë 3 miliardë euro. Unë e sigurova sot përsëri z. Davutoglu. Ato do të shkojnë për realizimin e projekteve për emigrantët dhe përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës. Gjermania gjithashtu do të ketë një bashkëpunim bilateral”, u shpreh kancelarje Merkel.

Sipas Merkel, që ka nënshkruar një deklaratë të përbashkët me kryeministrin turk, Ankaraja premton se do të bëjë gjithçhka për të ndalur fluksin e madh të emigrantëve që nisën nga Turqia në Greqi e më pas drejt Gjermanisë.

Megjithë motin e ftohtë, të paktën 2000 deri në 3000 refugjatë vijnë çdo ditë nga brigjet turke drejt ishujve grekë.

Top Channel