Llalla në Shkodër: Forcim të bashkëpunimit me policinë

22/01/2016 00:00

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, i pranishëm në analizën e Prokurorisë së Shkodrës kërkoi forcim të bashkëpunimit me policinë. Kjo për faktin se ka një numër të lartë të procedimeve të pezulluara ose të mospërfillura.

“Të gjitha prokuroritë kanë të përbashkët numrin e lartë të procedimeve të pezulluara ose të mosfilluara. Është e qartë që rastet e pezullimit dhe mosfillimit, kanë të bëjnë me mungesën e zbulimit të autorëve nga agjencitë ligjzbatuese ose nga cilësia e referimeve të veprave penale. Por po e përsëris porosinë që kam përcjellë edhe në analizat e tjera. Na takon ne si prokurorë për të realizuar koordinimin ndërmjet institucioneve ligjzbatuese, me qëllim që informacioni i tyre të përpunohet në mënyrë të tillë që të shërbejë për ngritje akuzash”, është shprehur Llalla.

Ai ka vlerësuar punën e Prokurorisë së Shkodrës në zbardhjen sa më të shpejtë të rastit të vrasjes së turistëve çekë, i cili shkaktoi një reagim të fortë në shoqërinë shqiptare.

“Analizën vjetore këtu dëshiroj ta nis me vlerësimin për zgjidhjen e shpejtë ligjore të Prokurorisë së Shkodrës për një rast tragjik që ndodhi në vitin 2015, pikërisht vrasjen e dy turistëve çekë në zonën e Dukagjinit. Hetimet e shpejta dhe vendosja para përgjegjësisë ligjore të autorit të asaj vepre penale që shkaktoi me të drejtë revoltë qytetare, ishte një detyrim i të gjithë shtetit, si edhe një formë ndjese për atë krim që cënonte mikpritjen dhe humanizmin shkodran, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi”, tha Llalla.

Kryeprokurori Llalla i la si porosi prokurorisë së Lezhës, të jetë më aktive në rastet e falsifikimit të pronave, si dhe në veprat penale të dëmtimit të pyjeve, Organi i akuzës ka nënshkruar marrrëveshje me institucionet parkatëse për këto dy çështje.

Top Channel