NBA, fitorja e 12 radhazi për San Antonio Spurs

22/01/2016 11:45

Në Konferencën e Perëndimit, San Antonio Spurs vazhdon të fitojë ndeshje. Skuadra teksane fitoi ndaj Phoenix Suns 117-89, duke regjistruar suksesin e 12 radhazi, për t’u cilësuar edhe si skuadra e dytë më e mirë e NBA, pas Golden State Warriors, duke parë edhe bilancin e saj me 37 fitore dhe 6 humbje.

Për San Antonion u dalluan në këtë ndeshje Leonard me 21 pikë dhe Marjanovic me 17 pikë dhe 13 topa në tabelë.

Cleveland Cavaliers e mori shumë shpejt veten pas disfatës së rëndë të pësuar nga Golden State në “Quicken Loans Arena”. Skuadra e Cavaliers mundi në ndeshjen e saj të radhës Los Angeles Clippers 115-102. LeBron James shënoi 22 pikë në këtë ndeshje, po aq sa edhe J.R Smith, por ajo që ka rëndësi është suksesi i ekipit nga Ohio. Për Clippers, Chris Paul e mbylli sfidën me 30 pikë e 9 assist, por këto shifra nuk i shërbyen aspak skuadrës kaliforniane, që pësoi humbjen e 15 sezonale.

Në renditjen e Konferencës së Lindjes, Cleveland vazhdon të kryesojë me 30 fitore dhe 11 humbje.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Memphis Grizzlies fitoi ndaj Denver Nuggets 102-101, Sacramento Kings mposhti Atlanta Hawks 91-88, ndërsa New Orleans Pelicans mundi Detroit Pistons 115-99.

Top Channel