Beqiraj: Shteti nuk heq dorë nga mbledhja e të ardhurave

22/01/2016 13:00

Ministria e Financave u detyrua të sqarojë edhe njëherë tjetër atë që e quan “Partneritet Publik Privat” për mbledhjen e të ardhurave.

Zv/ministrja Irena Beqiraj tha se ka keqinterpretime në media dhe në publik për nismën në fjalë. Ajo deklaroi se shteti nuk heq dorë nga e drejta ekskluzive e mbledhjes së të ardhurave.

“Dokumenti shpjegon qartë nismën e Ministrisë së Financave për të realizuar Partneritetin Publik-Privat, që synon të modernizojë sistemin teknologjik dixhital që monitoron transaksionet e shitjes me shumicë dhe pakicë në Shqipëri. Nuk japim asnjë lëshim të të drejtave ekskluzive të shtetit për tek privati. Nuk i japim asnjë të drejtë privatit në mbledhjen e të ardhurave”, u shpreh ajo.

Qeveria parashikon që përmes këtij partneriteti të rrisë me 180 milionë dollarë mbledhjen e të ardhurave në 10 vitet e ardhshme dhe Beqiraj sqaroi se koncesionari do të përfitojë mbi bazën e performancës.

Formula bazohet mbi nivelin e rritjes së të ardhurave, ku rritja 11 përqind, që është rritja mesatare e të ardhurave të TVSH-së në 17 vitet e fundit, konsiderohet si zero. Nëse rritja e të ardhurave do të variojë nga 11 deri në 15 për qind, privati merr 90 për përqind të saj. Nëse ajo varion nga 15 në 17 përqind, atëherë privati merr 6.5 lekë në çdo 10 lekë, ndërsa shteti 3.5 lekë dhe kështu me radhë sa më e madhe rritja aq më shumë ulet përqindja që merr privati.

Beqiraj tha se nga ky partneritet publik-privat nuk ka asnjë kosto shtesë për biznesin.

Top Channel