Reforma në drejtësi ka nevojë për median

22/01/2016 00:00

Elis Kuçi – Reforma në drejtësi ka marrë (siç duhet të jetë) hapësirën më të madhe mediatike këta muajt e fundit, si përpjekje për të përçuar te publiku ndryshimet që pritet të shërojnë sistemin.

Media, në të drejtën e saj, ka vendosur të sulmojë gjyqtarë specifikë dhe të etiketojë të gjithë trupën si emblema e korrupsionit në shoqërinë shqiptare. Personalisht, nuk kam komplekse të pranoj se shoqërisë i bën më mirë të botohet një dyshim, edhe nëse anon më shumë tek e pavërteta, se sa të mos shkruhet fare. Por i gjithë lëmi i medias duhet ta ndihmojë reformën, e cila në fund të fundit do t’i shërbejë së gjithë shoqërisë. Krahas denoncimeve për korrupsionin në sistem, duhet të veçohen edhe ato raste kur ka vend për përgëzime të njerëzve të drejtësisë.

Por si mund të ndihmojë media?

Ja një shembull i thjeshtë: ka disa kohë që OSBE po zbaton një projekt i quajtur “Drejtësi pa Vonesa”, që ka dhënë rezultate të prekshme në ato komunitete, ku gjykatat kanë aplikuar rregulla të qarta kundër zvarritjes së proceseve. Aplikimi i projektit “Drejtësi pa Vonesa”, që në thelb ka sistemin e menaxhimit aktiv të çështjeve në Gjykatat e Rretheve Gjyqësore Krujë, Korçë, Tropojë dhe Pukë, me mbështetjen e Prezencës dhe të USAID JuST, bashkë me Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Ministrinë e Drejtësisë ka dhënë rezultate inkurajuese në Gjykatën e Krujës, në çështjet civile, ku numri mesatar i seancave u reduktua nga 14 në 3. Për më tepër, çdo gjyqtar i kësaj gjykate shqyrtoi më shumë se dyfishin e çështjeve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Rezultate të mira u arritën edhe në gjykatën e dytë, atë të Korçës, ku gjykimet u shkurtuan me 40-50% dhe numri i seancave joproduktive u ul në 18-33%. Pa harruar se aplikimi i sistemit për menaxhimin aktiv të çështjeve (duke garantuar pjesëmarrjen e të gjitha palëve në çdo seancë) rrudh ndjeshëm mundësinë e “bakshishit”. Por asnjë media nuk ka marrë mundimin të shkojë e të bëjë një reportazh, madje kanë zënë shumë pak vend në raportimet e përditshme (përjashto rastet kur në këto gjykata kanë shkuar për prononcime zyrtarë të lartë).

Vijmë tek regjistrimi audio, i cili rrit transparencën, sepse garanton një procesverbal objektiv dhe të plotë të gjykimit, duke u dhënë palëve besim te saktësia e të dhënave. Edhe ky revolucion në mbarëvajtjen e një procesi gjyqësor të vetmin pasqyrim që ka gjetur është mbyllja e lajmit me zhargonin e rëndomtë tha ai/ajo gjatë inaugurimit të sistemit audio në x gjykatë. E vijmë tek idetë kryesore të reformës. Përveç baltës, askush nuk është ulur e të hulumtojë (për të dhënë një kontribut), se cilit model i përshtaten ndryshimet kushtetuese që duam të bëjmë, sa herë e kanë ndryshuar më pas, e një sërë pikëpyetjesh që ngrihen nga publiku, pasi reforma të hyjë në fuqi.

Atëherë vijmë edhe te korrupsioni si indikator që e bëri Shqipërinë të hyjë në një reformë të thellë, e cila në fund do të pjellë një Kushtetutë të re. Nëse ka një gjë që të gjithë bien dakord është se korrupsioni duhet shkulur nga rrënjët, jo ta vëmë në gjumë sa të kalojë vrulli i reformës. Faktori mediatik duhet ta shohë korrupsionin si myku që na zë shtëpinë, që po nuk u pastrua me themel përhapet sërish, brenda një kohe të shkurtër. Nuk duhet harruar se pas miratimit të reformës, për të luftuar korrupsionin duhet të miratohet e zbatohet me përpikëri një strategji parandaluese, bazuar në studime të hollësishme mbi mënyrën e funksionimit të korrupsionit në çdo hallkë të shoqërisë, kushteve që kanë ndikuar në shfaqjen e tij, zhvillimi social, kushtet e përgjithshme ekonomiko-politike dhe tendencave për të ardhmen. Një goditje, korrupsioni do ta merrte pas përfundimit të reformës, nëse miratohen fill pas saj akte ligjore e nënligjore, që prej konsolidimit të praktikave në shërbimet që u ofrohen qytetarëve, deri te përcaktimi rigoroz i afateve që një zyrtar duhet të kryejë detyrën e tij.

Është e gjithëpranuar në botën “oksidentale” se meritokracia, transparenca, llogaridhënia dhe efikasiteti janë parakushte të padiskutueshme për një burokraci të aftë dhe të motivuar për të hartuar dhe për të zbatuar politika që mbajnë larg aferat korruptive. Personalisht bëj pjesë tek ata njerëz që mendoj se bashkëfajtor me krimin e korrupsionit është shpesh indiferenca e secilit prej nesh. Bashkëpunimi i qytetarëve, duke i ftuar ata që me ndërgjegje kombëtare të refuzojnë çdo formë korruptive nga burokratët e institucioneve shtetërore, do të jetë fillimi i fundit në luftën e përbashkët, në minimizimin e korrupsionit. Një opinion publik dhe një media kritike ndaj korrupsionit dhe qytetarë që bashkëpunojnë, që kërkojnë përgjegjësi dhe të drejtat e tyre nga institucionet shtetërore, rezulton së pari në presionin për të përmirësuar praktikat nga institucionet publike, dhe së dyti, me nivel më të ulët të korrupsionit. Çdo qytetar dhe nëpunës e ka detyrë për të luftuar korrupsionin me çdo mjet që mundet. Korrupsioni është përhapur aq shumë, në çdo nivel të shoqërisë, saqë çdo qytetar, investitor apo sipërmarrës, e kupton gjuhën e ryshfetit.

Nëse dikush shkon në zyrë për të marrë shërbime dhe nuk i merr ato për një kohë të gjatë, me pretekstin se duhet edhe ky apo ai dokument, e ka të lehtë ta kuptojë, pa pasur nevojë t’ia thotë nëpunësi drejtpërdrejt, që ky problem mund të zgjidhet me ca lekë të vendosur në vendin e duhur. Kjo është praktikë me të cilën shumë njerëz bashkëjetojnë për të ndihmuar bizneset e tyre, praktikë që u jep zemër të korruptuarve. Ky fenomen duhet shkulur nga rrënjët.

Gazeta “Shqip”

Top Channel