2015, qeveria mblodhi 19.7 miliardë lekë më pak se plani i buxhetit

22/01/2016 15:10

Qeveria mblodhi vitin e kaluar 19.7 miliardë lekë të ardhura më pak se plani i buxhetit. Të dhënat zyrtare nga ministria e Financave tregojnë se mosrealizimet më të mëdha erdhën nga tre zëra, akciza, tatimi mbi të ardhurat personale dhe të ardhurat jotatimore.

Kur të ardhurat rezultojnë më të ulëta se plani, qeveria ka dy rrugë për ta kompesuar rënien. Ose të rrisë borxhin publik, ose të ulë shpenzimet. Të dhënat tregojnë se për vitin 2015 ajo ka zgjedhur këtë të dytën, madje duke i ulur shpenzimet edhe më shumë se sa mosrealizimi i të ardhurave.

Sipas financave, për vitin 2015 shpenzimet faktike të buxhetit rezultuan 25.8 miliardë më të ulëta se sa plani buxhetor. Por cilat ishin zërat që kompesuan mosrealizimin e të ardhurave. Shifrat zyrtare të financave, tregojnë se janë tre kategori shpenzimesh që kanë mbajtur peshën më të madhe. Këto janë shpenzimet për fondet speciale, ku futen pensionet dhe pagesat për sigurimet shëndësore, shpenzimet për buxhetin vendor dhe zëri i tretë është ai i ndihmës ekonomike.

Sipas ministrisë së financave, shpenzimet për pensionet dhe fondin e sigurimeve shëndetësore u realizuan 6.8 miliardë lekë më pak se plani, buxheti vendor shpenzoi 9 miliardë lekë më pak, ndërsa transfertat sociale rezultuan rreth 3.9 miliardë lekë më të ulëta.

Vec këtyre kategorive, të cilat adresohen kryesisht për shtresat në nevojë, një tjetër zë ku shpenzimet faktike kanë qenë më të ulëta se plani janë investimet publike, të cilat rezultuan rreth 1.8 miliardë lekë ose 14 milionë dollarë më pak. 

Top Channel