Në burg agjenti i SHISH, akuzohet se i dha informacion autorit të vrasjes në Fier

22/01/2016 00:00

I regjistruar si një procedim për korrupsion pasiv, historia penale e inspektorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Florian Bushi mund të shndërrohet shumë shpejt në një skandal që përfshin shërbimin sekret vendas, për shkak të pikëpyetjeve se si mund të dalin sekretet nga një institucion që ka për detyrë t’i ruajë ato?

Florian Bushi, i dyshuar se mund të ketë dërguar kopje të përgjimit tek një i implikuar në Fier rezulton të jetë një ndër inspektorët më të mirë, i punësuar prej shtatë vitesh në Drejtorinë Qendrore të SHISH.

Sipas burimeve të Top Channel, i riu nga Vlora mbulonte sektorin “Merlin” dhe ndiqte hetime e përgjime parandaluese, veçanërisht kundër trafikantëve.

E tillë është edhe dosja për të cilën ai është arrestuar nën dyshimin se një pjesë përgjimi u gjet e u zbulua në telefonin e Ilir Memushajt, një protagonist i botës së krimit që policia e prokuroria e dyshojnë të jetë një vrasës me pagesë e po ashtu si bashkëpuntor në vrasjen e 8 janarit në Fier.

Burimet i thanë TCH se pas arrestimit të Memushajt ka qenë Prokuroria e Fierit ajo që ka konstatuar një foto përgjimi në një nga telefonët e të prangosurit.

Menjëherë dosja i ka kaluar Prokruorisë së Përgjithshme, e cila së pari ka dyshuar se këto të dhëna mund të kishin dalë nga sektori i përgjimeve në organin qendror të akuzës.

Kjo çështje ka nisur 10 dtë më parë e më pas dy oficerë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda i janë drejtuar Shërbimit Informativ, ku dhe është kërkuar emri i njeriut që përgjonte një grup trafikantësh droge në jug të vendit.

Me një vendim sekuestroje në dorë, oficerët e policisë gjyqësore kanë kërkuar të mbikëqyrin kompjuterin e inspektorit, ku dhe kanë konstatuar se këto të dhëna ndodheshin aty.

Burimet pohojnë se ndonëse ka pranuar që ai merrej me përgjimin parandalues të këtij grupi, agjenti i SHISH ka mohuar të ketë dijeni sesi ka dalë ky informacion jashtë mureve të godinës së shërbimit sekret vendas.

Më herët Policia e Shtetit pohoi se Bushi i kishte përcjellë informacione të klasifikuara Ilir Memushajt, i cili dyshohet për vrasjen e Denis Kasës dhe plagosjen e dy të tjerëve.

Ndaj inspektorit të SHISH Gjykata e Krimeve të Rënda la në fuqi masën “arrest me burg”, të shpallur në mungesë ndaj tij, së bashku me urdhërin që çdo e dhënë nga seanca gjyqësore është e ndauar të publikohet. 

Top Channel