Kosovë, opozita paralajmëron protestë më 17 Shkurt

22/01/2016 00:00

17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së Kosovës, është data e paralajmëruar nga partitë opozitare për protestën e radhës, me kërkesë dorëheqjen e qeverisë. Tre liderët opozitarë, Visar Ymeri i Lëvizjes Vetëvendosje, Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj i Nismës për Kosovën, nga sheshi “Skenderbeu” në Prishtinë, ftuan qytetarët për përkrahje, për siç thanë ata, mbrojtje të republikës, kushtetutës dhe kërkesës për dorëheqje të qeverisë.

“Si opozitë e bashkuar e kemi zgjedhur këtë datë simbolike për të çuar mesazhin se qytetarët e Republikës së Kosovës, 8 vite pas pavarësisë, janë të pakënaqur dhe atyre nuk ju kanë realizuar pritjet që kanë pasur 8 vite më parë. Për më tepër 8 vite pas shpalljes së pavarësisë në krye të qeverisë së Kosovës vazhdojnë të jenë ata që kanë shkelur themelin, aktin më të shenjtë të një shteti, siç është kushtetuta”, deklaroi Fatmir Limaj.

Kryetari i Vetëvedosjes, Visar Ymeri, tha se që nga protesta e 9 janarit, qeveria është dashur ta kuptojë se qytetarët nuk do të tolerojnë të rrezikohet rendi kushtetues, për t’ia krijuar hapësirën Serbisë për ndërhyrje politike, ekonomike dhe territoriale në Kosovë dhe faljen e tokave Malit të Zi.
Vox: Visar Ymeri, kryetar I LVV

“Kjo qeveri e ka një afat të vazhduar deri më 17 shkurt, që ta kuptojë këtë gjë, që të largohet nga këto marrëveshje dhe që të largohet nga pushteti i uzurpuar, pasi aty po qëndron për t’ia mundësuar këto të këqija Kosovës dhe për ta shndërruar Kosovën në një vend i cili, as nuk është republikë sovrane, as nuk është republikë e qytetarëve. Sot pas 8 viteve u kuptua që ky shtet nuk ka dalur ashtu siç e donin qytetarët, por u bë një shtet ashtu siç po e duan pushtetarët”, tha Ymeraj.

Ndërsa kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, vlerësoi 17 shkurtin si ditë të rëndësishme për protestë, duke shtuar se ndihet krenar me përkrahjen që po merr opozita nga qytetarët, që sipas tij më 9 janar, u vërtetua se po fuqizohet.

“Është ditë me domëthënie. Nëse të gjithë vlerësojnë se në Kosovë ka arsye të protestohet, ajo ditë është e mirë për të çuar porosinë. Pra, ka domëthënien e vet. Ato vendime që janë marrë nga këta njerëz që janë në pushtet sot, dikur janë betuar për sovranitet, ata e kanë thyer betimin e tyre dhënë qytetarëve, jo vetëm që kanë shkelur kushtetutën e vendit. Dhe atë ditë qytetarët duhet t’u japin përgjigje, t’u thonë jo më”, u shpreh Haradinaj, duke shtuar se protesta e paralajmëruar do të jetë paqësore.

Top Channel