Kodi i ri Rrugor, gjobiten edhe këmbësorët

22/01/2016 00:00

Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në Kodin Rrugor, tashmë për shkeljen e rregullave të qarkullimit mund të ndëshkohen me gjobë jo vetëm drejtuesit e mjeteve, por edhe këmbësorët.

Sipas azhornimeve në Kodin Rrugor këmbësorët mund të ndëshkohen me masa administrative që variojnë nga 500 deri në 2 mijë lekë në rastet kur shkelin dispozitat e neneve 188 dhe 189.

E thënë ndryshe, këmnbësorët mund të ndëshkohen me gjobë në rastet kur kapërcejnë kryqëzimet në mënyrë diagonale jashtë vendkalimeve, kur kryejnë kalim të rrugës përpara autobusëve në stacione si dhe kur shkelin semaforin apo bëjnë lëvizje të rrezikshme ne karrexhatë.

Po në këto nene ku përcaktohet sjellja e këmbësorëve, thuhet se këta të fundit duhet të qarkullojnë në trotuare, bankina, shëtitore dhe hapësira të tjera të caktuara për ta. Kur këto hapësira mungojnë, janë të zëna, të ndërprera ose të pamjaftueshme, theksohet se këmbësorët duhet të qarkullojnë në buzën e karrexhatës në sens të kundërt me lëvizjen e mjeteve dhe në mënyrë të tillë që të krijojnë një pengesë sa më të vogël për qarkullimin.

Ndërkohë për rastet kur këmbësorët qarkullojnë në karrexhatat e rrugëve brenda dhe jashtë qendrave të banuara, pa ndriçim publik, kanë për detyrë të lëvizin në një rresht të vetëm.

Nga masat administrative nuk përjashtohen as barijtë, apo rojtarët siç etiketohen në kodin e ri, të cilët duhet të respektojnë rregullat e përcaktuara për kalimin e kopeve të kafshëve nga njëra anë e rrugës në tjetrën.

Parashikimi i ndëshkimit me gjoba i këmbesorëve vjen në një kohë kur në bazë të statistikave këta të fundit janë burim i 60% të aksidenteve me pasoja të rënda në vend. Evazive në Kodin e ri Rrugor mbetet mënyra e vjeljes së gjobës së këmbësorëve, pasi nuk përcaktohet procedura që do të ndiqet në të tilla raste.

Top Channel