Schulz: Fundi i Schengenit, pasoja katastrofike

22/01/2016 17:20

Efektet e fundit të Schengenit do të ishin katastrofikë për Europën, ka deklaruar presidenti i Parlamentit Evropian, Marin Schulz.

“Mua më duket se shumë prej atyre që këto ditë bëjnë thirrje për mbylljen e kufijve, duke varrosur kështu Schengenin, nuk munden apo nuk duan të shohin se efektet do të ishin katastrofike”, ka thënë Schulz.

Në një intervistë për “Passauer Neue Presse”, Schulz ka theksuar se, “dëmet ekonomike do të ishin masive dhe kërcënimi ndaj rritjes së vendeve të punës do të ishte i madh”.

Pezullimi i lëvizjes pa kontrolle brenda vendeve të Bashkimit Evropian sa vjen dhe po merret më shumë në konsideratë, për shkak se vendet anëtare nuk janë në gjendje të kontrollojnë fluksin e emigrantëve.

Pak ditë më parë, në konferencën e parë për shtyp të vitit 2016, presidenti i KE, Jean Claude Juncker shpjegoi lidhjen mes zhvillimit ekonomik e punësimit dhe Schengenit, ngjashëm me deklaratën e fundit të Schulz.

“Schengen është një prej arritjeve më të mëdha të procesit të integrimit europian. Pa Schengen, pa lëvizjen e lirë të punëtorëve, pa lirinë e qytetarëve europianë për të udhëtuar, euro nuk ka kuptim. Ngjashëm qëndron lidhja mes Schengen, lëvizjes së lirë dhe tregut unik. Më pak Schengen do të thotë më pak punësim e më pak zhvillim ekonomik”, deklaroi Juncker.

Por parlajmërimet për dështimin e lëvizjes së lirë ka ardhur edhe nga personazhe VIP të politikës evropiane, konkretisht nga presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, i cili tha të martën se shtetet anëtare kanë në dispozicion jo më shumë se 2 muaj për të menaxhuar krizën e refugjatëve.

Top Channel