Vrasja e Litvinenkos, i akuzuari: Hetimi britanik, i rremë

22/01/2016 00:00

Personi i akuzuar nga hetimi publik britanik si një prej vrasësve të ish-spiunit rus Aleksandër Litvinenko, e cilësoi raportin si të pavërtetë. Andrei Lugovoi tha se hetimi ishte një shpikje dhe supozim i pabazë, ndërsa drejtuesi i tij ishte çmendur.

Sipas rezultateve të hetimit, Lugoi dhe Dmitri Kovtun helmuan Litvinenkon dhe se vrasja kishte shumë gjasa të ishte aprovuar nga Presidenti rus, Vladimir Putin. Rusia ndërkohë e ka cilësuar si të politizuar herimin e drejtuar nga Sir Robert Ouen.

Hetimi i këtij të fundit doli në përfundimin se dy rusët e akuzuar helmuan Litvinenkon në një hotel në Londër në vitin 2006 duke i futur substancën radioaktive polonium 210 në pijen e tij.
 
“Përfundimet e hetimit janë jashtë logjike dhe gjykatësi juaj duket qartë që është çmendur. Nuk pashë asgjë të re në hetim dhe më vjen keq që pas 10 vitesh nuk është sjellë asgjë e re, por vetëm gjepura. Në raport përdoren terma si ‘ka gjasa’ apo ‘ka mundësi’ dhe kjo tregon se nuk ka asnjë provë kundër nesh”, deklaroi Lugovoi në një intervistë për BBC.

Lugovoi gjithashtu tha se as që ka ndërmend të kthehet në Britani për t’u përballur me akuzat, pasi vetëm një idiot do të shkonte atje për t’u akuzar për krime që sjellin dënimin me burgim të përjetshëm.

Ai tha se është rus dhe si i tillë s’ka pse t’i besojë Britanisë, por ka besim tek sistemi i drejtësi ruse, i cili sipas tij, nuk do ta ekstradojë kurrë në Britani.

Top Channel