Plas skandal seksual te Zvicra

22/01/2016 00:00

Pak muaj nga starti i Europianit të futbollit këtë verë, në Kombëtaren zvicerane të futbollit shpërthen një skandal seksual me përmasa të mëdha që mund të trazojë atmosferën te helvetikët.

Gjithçka daton në vitin 2005 por vetëm këtë fundjavë janë bërë publike faktet se një portier i formacionit zviceran akuzohet zyrtarisht se ka përdhunuar në grup një femër, çka mund të sjellë pasoja të rënda ligjore.
 
Futbollisti që asokohe militonte me skuadrën e Thun në Superligën helvetike, së bashku me dy kolegë të tjerë, dhunoi seksualisht një vajzë dhe tani prokuroria federale kërkon gjykimin publik. Çështja u regjistrua në Prokurorinë e Bernës por u mbyll në vitin 2013 për mungesë faktesh, që mesa duket kanë dalë në dritë vetëm këtë janar pas disa imazheve kompromentuese.

“Klientja ime ka bërë të pamundurën për të dënuar këta agresorë por është e pashpjegueshme se pse po ndodh gjykimi i tyre vetëm këtë vit”, tha avokati i viktimës, Marsel Gras në gjyqin që do zhvillohet me dyer të mbyllura.

Shqipëria ndodhet në një grup me Zvicrën, Francën dhe Rumaninë në finalet e Euro 2016. Sfida ndaj helvetikëve ku luajnë shumë shqiptarë do të jetë ndeshja e tretë e Euro 2016. Takimi do të luhet më 11 qershor në orën 15:00 në Lens me një stadium me kapacitet 35 mijë spektatorë. Ndeshja e dytë për Shqipërinë do të jetë ajo ndaj Francës, kurse ndeshjen e fundit në grup, Shqipëria do ta ketë ndaj Rumanisë në Lion.

Top Channel