Kore e Veriut, arrestohet për “akte armiqësore” studenti amerikan

22/01/2016 18:05

Autoritetet në Korenë e Veriut kanë deklaruar se kanë arrestuar një student amerikan nën akuzën se po kryente “veprime armiqësore” kundër shtetit.

Agjencia e lajmeve KCNA e ka identifikuar atë si Otto Frederick Warmbier, student i Universitetit të Virxhinias.

“Ai kishte hyrë në Korenë e Veriut si turist me synimin që të shkatërronte unitetin e vendit”, shkruan KCNA, sipas të cilës qeveria amerikane e kishte “toleruar dhe manipuluar” atë.

Agjencia shtetërore e lajmeve nuk jep detaje të tjera, por shton se studenti po hetohet nga autoritetet vendase.

Ndërkohë, një zyrtar i ambasadës suedeze në Penian, Mark Toner ka deklaruar se Departamenti amerikan i Shtetit është informuar se shtetasi amerikan është arrestuar dhe se po punon për lirimin e tij.

Diplomati suedez ka nënvizuar se lidhur me episodin nuk do të jepen më detaje për shkak të privatësisë së çështjes.

Ndërkohë, agjencia kineze e udhëtimeve “Pionierët e Rinj” shpërndau një deklaratë për shtyp ku thuhej se Warmbier është ndaluar teksa merrte pjesë në një prej tureve të organizuar prej saj dhe se familja e tij është njoftuar.

Më herët agjencia në fjalë i kishte komunikuar agjencisë së lajmeve “Reuters” se Warmbier ishte arrestuar më 2 janar.

Regjimi në Korenë e Veriut herë pas here i përdor arrestimet e të huajve si mjet për të ushtruar presion ndaj kundërshtarëve të tij. Në dhjetor, Hyeon Soo Lim, një pastor kanadez me origjinë koreano-jugore, u dënua me burgim të përjetshëm nën akuzën e komplotit për të rrëzuar regjimin.

Ndërkohë, një shtetas koreano-amerikan mendohet të jetë në një burg të vendit të izoluar komunist nën akuzën e spiunazhit.

Top Channel