Deputeti maqedonas Pavle Trajanov nga Lidhja Demokratike, që është pjesë e koalicionit qeveritar, dyshon se agjencitë sekrete dhe sistemi i përgjimit ende keqpërdoren nga disa parti politike për të ndjekur kundërshtarët e tyre.

Megjithatë, Trajanov, i cili kohët e fundit ka mbajtur qëndrime kritike ndaj pushtetit dhe ka paralajmëruar largimin e partisë së tij nga koalicioni me VMRO-DPMNE-në e drejtuar nga Nikolla Gruevski, nuk ka pa përmendur emrat e subjekteve për të cilat dyshon se përgjojnë rivalët politikë.

“Është e mundur dhe ka dyshime se disa nga partitë e mëdha dhe të fuqishme mund të lidhen kur të dëshirojnë me sistemet e shërbimeve të sigurisë dhe të marrin informacione për qëllimet e tyre që kanë të bëjnë me zhvillimet politike, që më pas i shfrytëzojnë në mënyra të ndryshme”, ka thënë Trajanov.

Nga ana tjetër, deputeti i PDSH-së opozitare, Ernad Fejzullahu ka kërkuar që shërbimet sekrete të ndryshojnë qasjen ndaj shqiptarëve. Ai ka deklaruar se, shërbimet inteligjente gjithmonë kanë keqtrajtuar shqiptarët e Maqedonisë dhe për këtë situatë – sipas tij – përgjegjësi mban edhe partia shqiptare në pushtet, BDI.

“Bashkimi Demokratik për Integrim ka një nëndrejtor në agjencinë e zbulimit. Pyetja e parë logjike është: çfarë bën ai atje? Cili është roli dhe detyra e tij? Roli dhe detyra e përfaqësuesit të BDI është që të legjitimojë aksionet kundër shqiptarëve”, ka thënë Fejzullahu.

Në seancën e komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e agjencive inteligjente, deputetët kërkuan përgjegjësi për ata zyrtarë që kanë përgjuar qytetarët në mënyrë të paligjshme.

Ata thanë se Kuvendi nuk ka kurrfarë kontrolli mbi shërbimet sekrete dhe theksuan rëndësinë e mbikëqyrjes së këtyre institucioneve nga organi legjislativ, për të parandaluar ndjekjen dhe përgjimin ilegal të qytetarëve në të ardhmen.

Top Channel