Chelsea shkarkon punonjësin e sigurimit, e quajti Fabregasin “gjarpër”

22/01/2016 00:00

Skuadra e Chelseat është detyruar të largojë nga puna një punonjës sigurimi pasi e kishte quajtur mesfushorin Cesc Fabgreas “gjarpër”. Mësohet se incidenti ka ndodhur kohë më parë, por vetëm të premten ka shpërthyer në rrjete sociale.

Në videon vetëm 8 sekonda të gjatë të regjistruar në “Stamford Bridge”, shihet numri 4 i Chelseat kur largohet me një valixhe në dorë, por ofendohet nga punonjësi i larguar i sigurimit.

“Ti je një gjarpër. Ti i përket Arsenalt, çfarë ka ngjarë me ty”, i thotë punonjësi mesfushorit spanjoll në videon që është shpërndarë me shpejtësinë e dritës, ndërkohë që Cesc, i befasuar nga fjalët, i bën me shenjë një përgjegjësi të dëgjojë ato që thotë punonjësi.

Videoja është publikuar nga një llogari në Facebook e tifozëve te Arsenalit në prag të derbit të Londrës mes “topçinjve” dhe Chelseat, që sigurisht do të tensionojë edhe më shumë situatën mes tifozërive, edhe ashtu të tensionuar historikisht.

Fabregas ka zhvilluar mbi 500 ndeshje me fanellën e Arsenalit para se të rikthehej në Barcelonë, ku për shkak të aktivizimit të pakët, bëri një lëvizje të befasishme duke iu bashkuar rivalit të Arsenalit, Chelseat.

Ai ka qenë objekt i kritikave të shumta për shkak të formës së dobët që kaloi në pjesën e parë të sezonit, madje u tha se ishte përgjegjës për “puçin” ndaj Jose Mourinhos, trajnerit të preferuar të tifozëve blu.

Top Channel