Zika alarmon Amerikën Latine, autoritetet: Shmangni shtatzënitë

23/01/2016 00:00

Zyrtarët në katër shtete amerikano-latine dhe Karaibe kanë paralajmëruar gratë që të shmangin shtatzënitë për shkak të asaj që quhet “epidemia e Zikas”, emri i virusit përgjegjës për deformimet gjenetike me të cilat po lindin gjithmonë e më shumë fëmijë.

Kolumbia, Ekuadori, El Salvadroi dhe Xhamajka rekomanduan gratë që të rishikojnë edhe njëherë planet e tyre për shtatzëni deri në kohën kur të kuptohet më tepër mbi Zikan.

Ministri kolumbian i Shëndetësisë, Alejandro Gabiviria kërkoi nga prindërit që të mos planifikojnë ndonjë shtatzëni, të paktën jo deri në shtator të këtij viti. Të njëjta këshilla dhanë edhe autoritetet shëndetësore në tre vendet e tjera.

Këto rekomandime pasojnë ato të Brazilit, vend në të cilin kanë lindur rreth 4 mijë fëmijë me deformime gjenetike që nga tetori i vitit të kaluar, ndërsa si përgjegjës shihet ky virus.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga gratë shtatzëna që të mos udhëtojnë drejt 20 vendeve në Amerikë dhe përreth të cilat janë prekur nga Zika.

Zika përhapet nga pickimi i mushkonjës Aedes aegypti, fajtore edhe për infektimin nga ethet tropikale.

Top Channel