Kryeministri Edi Rama në Kolegjin e Europës në Bryzh

23/01/2016 00:00

“Të mbajmë gjallë ëndrrën e Europës së hapur” ishte tema e leksionit të kryeministrit Edi Rama në Kolegjin e Europës në Bryzh. Instituti i parë botëror për studimet pasuniversitare, i themeluar me Kongresin e Hagës më 1949, ka reputacion në përgatitjen e mjaft funksionerëve të BE-së dhe në selektimin e rreptë të studentëve për një program 10 mujorë, që parashikon shpesh ligjërata të komisionerëve europianë dhe krerëve të shteteve të ndryshme.

Për të njëjtin auditor, kryeministri Rama pasonte homologun e tij spanjoll, presidentin italian dhe atë kinez.

“Sot, në Bashkimin Europian haset fenomeni i “lodhjes nga zgjerimi”.  Kjo “lodhje nga zgjerimi” vë në rrezik fuqinë transformuese që ka BE mbi “europianizimin” e vendeve të rajonit, por  i jep  gjithashtu hapësirë politikanëve nacionalistë dhe islamistëve radikalë të Ballkanit Perëndimor, që duan të përdorin boshllëqet gjeopolitike, që mund të shfaqen në Ballkan, për agjendat e tyre. Nga ana tjetër, “lodhja nga zgjerimi” mund të krijojë tek vendet kandidate ‘lodhjen nga anëtarësimi’, për shkak të përshtypjes se po marrin më shumë drurin, se karrotën. Në paradoksin, ku kushtëzimi i BEsë është forcuar, ndërsa është dobësuar angazhimi i BEsë për zgjerimin, ka raste që për hapat pasues të këtij procesi, nuk merresh vetëm me plotësimin e kushteve që promovon Komisioni, por sidomos me kushtet e veçanta që caktojnë vendet anëtare. Qartazi, këto kushte, ndonjêherë, duken si alibi për shtyrjen e vendimit. Kjo vë në rrezik besueshmërinë dhe parashikueshmërinë e procesit të zgjerimit”, tha Rama.

Për rreth 20 minuta, kryeministri shqiptar foli për kuptimin e Bashkimit Europian dhe këndvështrimin ballkanik të procesit të zgjerimit, ndërsa u pyet për gati një orë mbi politikat europiane,veçanërisht për radikalizmin dhe myslimanët, mbi marrëdhëniet rajonale, sidomos me Kosovën, por dhe me Greqinë, pas rrëzimit të marrëveshjes mbi kufirin detar nga Gjykata Kushtetuese, si dhe për zhvillimet e brendshme, kryesisht në lidhje me reformën e drejtësisë dhe procesin e anëtarësimit në BE.

“Ne përballemi me një problem të madh, që lidhet me injorancën e brezit të ri apo të të gjithëve ne bashkë, në lidhje me besimin fetar. Duhet të kuptojmë se rritja e partive anti-europiane bazohet shumë në këtë luftë dhe në injorancën e njerëzve që nuk dinë asgjë rreth islamit, kulturës, historisë së këtij besimi, ashtu si dhe besimeve të tjera. Në Shqipëri, ne punojmë, së bashku me disa partnerë dhe miq, për të ndërtuar një paketë të laicitetit dhe kulturës së besimeve, që ta fusim këtë në shkolla, për t’i dhënë fëmijëve dhe të rinjve mjetet për të kuptuar dhe për të pasur opinionin e tyre”, vijoi kreu i qeverisë shqiptare.

Rektori Jorg Monar rrëfeu për interesimin e kryeministrit Rama për të përfshirë bursa të qeverisë shqiptare dhe për trajnimin e administratës shqiptare përmes zyrës së zhvillimit të Kolegjit të Europës. Mësohet se shkolla përllogarit mesatarisht 22 mijë euro kosto për një student shqiptar, por në varësi të degës së zgjedhur, kjo shumë varion nga 20-25 mijë euro.

Përvit, 300 studentë nga 50 vende të ndryshme të botës përzgjidhen për studime të thelluara europiane mbi çështjet politike, ekonomike dhe të drejtës ndërkombëtare.

Shumica prej tyre vijnë me bursë të plotë, ose të pjesshme, prej qeverive apo fondacioneve të ndryshme dhe kanë detyrim kontraktual për të punuar, menjëherë pas mbarimit të shkollës, për autoritetin shtetëror apo ndërkombëtar, që ka mbështetur financiarisht studimet e tyre.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel