Testimi i mësuesve, PD: I paligjshëm dhe politik

23/01/2016 00:00

Kreu i Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Luciano Boçi ka akuzuar qeverinë, saktësisht kryeministrin Rama dhe ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, se po i detyrojnë mësuesit t’i nënshtrohen një testimi politik dhe aspak të nevojshëm.

Sipas tij, testimi është në kundërshtim me ligjin dhe shkel çdo rregullore për vlerësimin e mësuesit. Boçi u shpreh se testimi është veprimi i radhës i qeverisë për të poshtëruar mësuesit.

“Testimi i sotëm, bie në kundërshtim me ligjin për Arsimin parauniversitar dhe dispozitat normative për zhvillimin profesional dhe pikërisht me nenin 58 të tyre. Ai shkel çdo kod moral, etik e ligjor, për vlerësimin e punës së mësuesit. Rama dhe Nikolla, kanë gati tre vite që i kërcënojnë ata, i poshtërojnë, i nxjerrin gjuhën, i mashtrojnë, i transferojnë, i pushojnë sipas interesit, sipas klientelës, sipas bindjes politike”, deklaroi Boçi.

Deputeti i PD-së tha udhëzimi i Ministrisë së Arsimit përcakton se testimi duhet të bëhet në rrugë dixhitale, pa identifikim, prandaj ky testim është në kundërshtim edhe me vet udhëzimin e ministrisë.

“Kjo nuk është thjesht vetëm prerje në besë, por është njëkohësisht, një maskaradë e një akt turpi i kësaj qeverie të pa turp. Ky testim nuk i shërben zhvillimit profesional, por realizon goditjen profesioniste denigruese të misionit dhe rolit fisnik të mësuesit”, përfundoi ai.

Top Channel