Kosovë, ministri Hoti prezanton strategjinë kombëtare për zhvillim

23/01/2016 00:00

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, të shtunën në konferencë për media ka prezantuar strategjinë kombëtare për zhvillim 2016- 2021. Ministri Hoti tha se kjo është strategjia e parë që përkufizon zhvillimin afatgjatë dhe gjithëpërfshirës në Kosovë.

Kjo strategji, sipas ministrit, e bazon zhvillimin ekonomik, punësimin dhe mirëqenien mbi iniciativën private, konkurrencën dhe tregun e hapur.

“Miratimi i strategjisë kombëtare për zhvillim nga ana e Qeverisë është hap i rëndësishëm drejt planifikimit plotësisht të integruar të politikave zhvillimore dhe ndërtimit të sistemit të monitorimit. Masat e përcaktuara në këtë strategji janë të orientuara drejt rezultateve të cilat janë të matshme dhe janë masa për të cilat ne mund të sigurojmë burime të mjaftueshme për t’i realizuar”, tha ai.

Strategjia kombëtare për zhvillim, sipas ministrit Hoti, është e ndarë në katër shtylla: Kapitali njerëzor, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë, zhvillimi i industrive konkurruese dhe zhvillimi i infrastruktures.

“Pengesë kryesore për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social në të kaluarën ka qenë mungesa e kohezionit të politikave zhvillimore dhe koordinimit ndërinstitucional. Prandaj, kjo strategji siguron koordinimin e veprimeve të të gjithë institucioneve dhe akterëve të involvuar në proceset zhvillimore, parandalimin e proceseve të dyfishta institucionale, efikasitet më të lartë të punës, orientimin e përkrahjes nga partnerët zhvillimor, si dhe forcimin e llogaridhënies të zyrtarëve që janë përgjegjës për politikat zhvillimore”, deklaroi ministri i Financave.

Sipas ministrit Hoti, strategjia është në harmoni me proceset e tjera strategjike, si ajo e integrimit në Bashkimin Europian përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, me programin për reforma rkonomike, strategjinë e re të BE-së “Europa 2020” dhe ciklin e ri të planifikimit të asistencës së BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pas aprovimit të kësaj strategjie, do të miratohet korniza ligjore e cila mbështet këtë strategji, sidomos sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja dhe forcimit të aftësisë konkurruese të ekonomisë në vend.

Top Channel