PD: Rama shpronëson dy ish të persekutuar

23/01/2016 13:35

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, ka deklaruar të shtunën se kryeministri Edi Rama “ka vendosur të shpronësojë me forcë e në kundërshtim me ligjin dy ish të persekutuar në Sarandë, në moshën 80-vjeçare dhe vajzën e tyre, aspak për interesa publike, por thjesht për trille personale e korruptive”.

“Kjo pronë i është njohur familjes Nesturi dhe i është dhënë në vitin 1992 me ligjin e kthimit të pronave. Ndërtesa ku banon familja Nesturi në Sarandë, pretendohet nga shteti rumun. Pas një kalvari prej 400 seancash gjyqësore, familja Nesturi arriti ta ruajë dhe ta mbajë pronën e vet edhe me vendimin përfundimtar të Gjykatës së Lartë. Por nuk ka gjykatë që ndal vrullin e Edi Ramës, i cili, mesa duket, ia ka premtuar këtë pronë ish-kryeministrit rumun, i cili gjendet në burg për korrupsion, dhe ka vendosur të shkelë parimet, dinjitetin dhe pronën e një familjeje shqiptare për hir të interesave personale”, deklaroi Ristani.
 
“Çfarë interesash publike kanë shqiptarët që të shpronësojnë familjen Nesturi, në Sarandë, për llogari të shtetit rumun? Asnjë interes publik nuk ka, së paku asnjë interes publik nuk është arsyetuar nga aktet e administratës shqiptare, përveçse i do qejfi Edi Ramës. Tashmë, Edi Rama e ka marrë vendimin dhe e ka botuar edhe në fletoren zyrtare. Partia Demokratike e konsideron një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut dhe i bën thirrje qeverisë të tërhiqet para këtij akti kriminal kundër dy ish të persekutuarve 80-vjeçarë dhe vajzës së tyre”, shtoi Ristani.

Transparenca.al reagoi për akuzat e Arben Ristanit. Prona në fjalë, thotë sqarimi i qeverisë, është dhuruar nga Mbreti Zog studiuesit të njohur rumun Nicolaes Jorga në vitin 1932, i cili një vit më pas ia dhuroi shtetit rumun për ndërtimin e Institutit Albanologjik.

Procedurat, thotë sqarimi i transparencës, janë kryer në bazë të detyrimeve që burojnë nga traktati i miqësisë mes Shqipërisë dhe Rumanisë, nënshkruar në vitin 1994 dhe ligji për shpronësimin publik të vitit 1999.

Transparenca.al kujton se çështja në fjalë është trajtuar nga të gjitha qeveritë shqiptare dhe vetë Berisha si ish-kryeministër, thotë sqarimi, në vitin 2012 ka udhëzuar Ministrinë e Jashtme të fillojë procedurat e shpronësimit dhe kthimin e saj shtetit rumun.

Top Channel