Bozdo: Veliaj mburret me punën e të tjerëve

23/01/2016 14:10

Ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, deklaroi se Erion Veliaj “vazhdon të mburret me punët e të tjerëve”. “Është aq i pacipë në genjeshtrat e tij sa një projekt që është drejt fundit e shet si punë të tij. Këtë bëri sot me varrezat e Tufinës, kur i vetmi kontribut i tij ishte bllokimi i shpronësimit dhe buxhetit për këtë projekt për 7 muaj, derisa u zhbllokua me vendim gjykate”, theksoi Bozdo në një deklaratë për shtyp.

“Ftoj sot të gjithë mediat, ato që ende besojnë tek misioni i tyre i informimit të vërtetë të qytetarëve dhe s’janë peng i Veliajt, t’i referohen kronikave të shtatorit 2014, kur kanë pasqyruar nisjen e punimeve për realizimin e projektit të rehabilitimit dhe ndërtimit të varrezave murale në Sharrë dhe Tufinë. Projekti për sistemimin e varrezave të Tufinës dhe Sharrës ishte një investim prej 3 milionë dollarësh i Bashkisë së Tiranës drejtuar nga Lulzim Basha. Është realizuar rehabilitimi, sistemimi, ndriçimi, gjelbërimi, shtrimi i rrugëve të brendshme, rrethimi i jashtëm dhe është mundësuar një sipërfaqe për shërbimet e fundit, për familjet gjithashtu. Projektet për të dy varrezat mundësojnë zgjerimin me një sipërfaqe afër 10 mijë metër katror në  varrezat e Tufinës, dhe 15 mijë metër katror në Sharrë. Projekti parashikonte edhe varrezë murale. Pra, Veliaj vazhdon të bëjë të vetmen punë që di: të mashtrojë qytetarët siç bëri kur u betua dhe përbetua se nuk do ta rriste çmimin e biletës, por as 24 orë më pas pasi siguroi rryshfetin e dëshiruar, rriti çmimin e biletës për qytetarët e Tiranës”, shprehet Bozdo.

Top Channel