PPP për mbledhjen e TVSH-së. PD: Qeveria duhej të mësonte nga dështimet

23/01/2016 15:20

Opozita ka reaguar për herë të parë publikisht për nismën e fundit të qeverisë, e cila synon të delegojë tek privati pjesën inteligjente në administrimin dhe mbledhjen e TVSH-së. Jorida tabaku thotë se nisma është një eksperiment i rrezikshëm.

“Është hera e parë në historinë botërore që një nga funksionet bazë të administratës tatimore t’i delegohet dikujt tjetër”, thotë deputetja demokrate.

Sipas Tabakut, qeveria duhet të kishte mësuar nga dështimet me kontraktimin e kompanive private për të mbledhur taksat, siç ishte rasti i “CroWn Agents”: “I ka kushtuar shtetit shqiptar rreth 4 milionë euro në vit, për të rritur të ardhurat e administratës doganore në 100 milionë dollarë. Sot jemi në mosrealizimin më të madh”.

Termat e referencës të hartuara nga Ministria e Financave kanë paracaktuar edhe formulën e shpërblimit për privatin, i cili fillon e merr pagesë nëse të ardhurat rriten mbi 11%: “Që nga fillimi i koncesionit, çdo lek që do të paguajmë për TVSH-në, 9 lek i shkon privatit dhe 1 lek për shkolla dhe rrugë. Është e pakonceptueshme një normë e tillë”.

Dhe kjo formulë sipas opozitës ka vetëm një emër: “Vjedhje progresive”.

Qeveria ka deklaruar se partneriteti me privatin do të jetë një instrument shumë efektiv në uljen e evazionit dhe nuk do i kushtojë biznesit dhe individëve asnjë lek shtesë.

Top Channel