Basha: Rama kërcënon opozitën dhe fjalën e lirë

23/01/2016 15:45

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me anë të një deklarate për media reagoi pas kallëzimit për shpifje që Zyra e Kryeministrit i bëri deputetes së PD-së, Albana Vokshi.

“Kërcënimi i kokoshit 200-milionësh sot ndaj Albana Vokshit, pas një serie denoncimesh kurajoze, me fakte e me prova për korrupsionin në shëndetësi, për zhvatjen që ai po i bën parave të shqiptarëve me miliarda çdo muaj, tregon dy gjëra. Se kryehajduti Edi Rama përmes mashës së tij Ilir Beqa i kanë vjedhur ato miliona euro dhe po vjedhin dhe sot të tjera. Dhe se ai ka në shërbim të tij drejtësinë e gjyqtarët e tij mercenarë në Gjykatën e Lartë, me të cilën kërcënon opozitën dhe fjalën e lirë”, lexohet në deklaratë.
 
”Kërcënon me ata gjyqtarë të korruptuar e të kapur që dënuan Ristanin e Palokën sepse denoncuan lidhjet e tij me krimin, dhe nxorën pa njollë e pa cene përfaqësuesit e krimit, Arben Ndokën e Pjerin Ndreun që bota mbarë i pa të godisnin opozitën brenda në Kuvend. Ja, kjo është drejtësia që do kokoshi”, shton Basha.

Top Channel