Irani dhe Kina angazhohen për forcimin e marrëdhënieve

23/01/2016 17:05

Irani dhe Kina janë angazhuar për lidhje më të ngushta ekonomike dhe politike, pas bisedimeve të zhvilluara në Teheran mes dy presidentëve.

Xi Jinping është lideri i parë kinez që viziton Iranin që nga heqja e sanksioneve javën e kaluar dhe në më shumë se një dekadë.

Dy liderët kanë nënshkruar 17 marrëveshje për një sërë çështjesh, që nga energjia e deri tek nxitja e tregtisë deri në 600 miliardë dollarë.

Presidenti iranian Hassan Rouhani deklaroi se ai dhe homologu i tij kishin nënshkruar një “dokument gjithëpërfshirës 25-vjeçar” për marrëdhëniet strategjike.

“Kemi diskutuar gjithashtu për terrorizmin, situatën në Lindjen e Mesme, si dhe për shkencën, teknologjinë moderne, kulturën, turizmin, sigurinë dhe çështjet e mbrojtjes”, ka saktësuar Rouhani.

Gjatë qëndrimit në Teheran, presidenti Xi pritet të takohet edhe me liderin suprem, ajatollahun Ali Khamenei.

Kina është partneri më i madh tregtar i Iranit dhe të dy vendet shpresojnë se marrëdhënie më të forta do të vijojnë në epokën e post-sanksioneve të Iranit.

Penalizimet ndërkombëtare ndaj Republikës Islamike u hoqën javën e kaluar pasi vendi ra dakord të ngadalësonte aktivitetet e tij bërthamore.

Top Channel