Pranga për korrupsion shefit të strehimit në Bashkinë e Korçës

23/01/2016 17:25

Përgjegjësi i sektorit të strehimit në Bashkinë e Korçës është arrestuar me urdhër të prokurorisë së këtij qarku nën akuzën e korrupsionit pasiv.

Sipas një njoftimi për shtyp të organit lokal të akuzës, arrestimi i shtetasit Vasillaq Thimio ka ardhur pas sinjalizimeve se zyrtari kishte marrë para në këmbim të garantimit të strehimit për një grua.

Fillimisht ka qenë vetë zoti Thimio që ka kallëzuar në prokurori gruan në fjalë dhe dy të afërm të saj se i kishin kërkuar me anë të forcës një shumë parash prej 900 eurosh dhe 40 mijë lekësh të reja.

Por, pasi ka marrë në pyetje personat në fjalë, hetuesit kanë zbuluar se shtetasja me inicialet D.K, bashkë me një person tjetër i kishin shkuar në zyrë Thimios dhe i kishin dhënë 900 eurot dhe 40 mijë lekët, me garancinë se do të përzgjidhej aplikimi i saj si e pastrehë.

Pasi kanë zbuluar këtë skemë, prokurorët kanë urdhëruar arrestimin e shefit të sektorit të strehimit, direktivë që është zbatuar pasditen e kësaj të shtune nga forcat e policisë.

Ndërkohë, me rekomandim të prokurorisë, gjykata e qarkut të Korçës ka vendosur ndaj këtij personi masën e sigurisë “arrest me burg”.

Top Channel