Paketa fiskale, Bashkia e Pogradecit nis konsultimet

23/01/2016 18:20

Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri nisi konsultimet me grupet e interesit në këtë bashki për paketën fiskale 2016, e cila pritet të dorëzohet për miratim në Këshillin Bashkiak.

Kapri zhvilloi disa tryeza me përfaqësues të ndryshëm të biznesit, por edhe familjarë mbi propozimet e reja të taksave. Përfaqësues të të gjitha kategorive dhanë sugjerimet e tyre për këtë paketë, të cilat do të reflektohen në propozimin e bashkisë.

“Kemi premtuar në fushatë që taksat bashkiake do të ulen”, tha Kapri në takimin e organizuar.

Kështu, disa prej taksave kryesore do të ulen ndjeshëm për biznesin, për të lënë më shumë të ardhura për ta. Taksa e ndërtesës për tregti e shërbime do të ulet në 260 lekë nga 300 që është.

Tarifa e pastrimit për bizneset e kategorisë bar-kafe do të ulet me 20%, nga 12.500 lekë në 10.000 lekë. Kjo taksë do të ulet edhe për biznese prodhuese në territorin e bashkisë, në të njëjtën masë që i përkasin territorit A. Nga ulja e taksave do të përfitojnë edhe bizneset që operojnë në fushën turistike.

Taksat janë të ndara në zona të caktuara, si zona A dhe B. Në zonën B taksa e pastrimit do të ulet mbi 20% për hotelet dhe akoma më shumë për bar-kafenetë.

Të njëjtën ulje do të ketë taksa e gjelbërimit, deri në masën 30%. Ulja do të përfshijë edhe taksën e ndiçimit, atë të transportit, si dhe atë për hapjen e bizneseve të reja.

Top Channel