Greqi, fermerët paralizojnë trafikun dhe doganat, mes tyre edhe Kapshtica

24/01/2016 00:00

Fermerët grekë, të cilët kanë më shumë se një javë që protestojnë ndaj reformës së pensioneve dhe sistemit të ri të tatimeve, që kërkon të miratojë qeveria “Tsipras”, kanë vendosur që të bllokojnë dy orë në mesditë dhe dy orë në mbrëmje rrugët kryesore të Greqisë dhe pikat kufitare të saj deri të martën.

Duke mbajtur pranë 50 kryqëzimeve nevralgjike të rrugëve nacionale si dhe doganave, mbi 15 mijë traktorë, fermerët bllokojnë deri të martën, dy herë në ditë, midis të tjerave edhe Doganën e Kapshticës.

Mbi 350 mijë grekë, që deklarojnë si aktivitete të tyret bujqësinë apo veterinarinë, vlerësojnë se projektligji i ri i pensioneve dhe sistemi i taksave rrisin kontributet e tyre dhe i gjunjëzojnë ata ekonomikisht, ndërsa përfaqësuesit e tyre akuzojnë kryeministrin Tsipras se, të tjera u kishte premtuar 3 vite më parë si udhëheqës i opozitës. Në disa raste, kur deputetë të “Syriza”-s kanë shkuar në pikat e kryqëzimeve të bllokuara nga fermerët, janë krijuar situata të tensionuara dhe janë dëbuar pothuajse me dhunë nga bujqit.

“Njerëzit e besuan ‘Syriza’-n. I dhanë një mundësi të dytë të formonte përsëri një qeveri, pas kontrollit të kapitalit, ndërsa qeveritarët të vetmen gjë që bënë ishte një plan për të zhdukur sektorin primar. Nëse këto janë politikat e tyre dhe mendojnë se mund të detyrojnë fermerët të braktisin tokat e tyre, i kanë bërë gabim llogaritë”, tha Panajotis Nikas, fermer.

Fermerët veçanërisht janë goditur edhe nga disa reforma të tjera, si rritja e taksave në plehrat kimikë, në ushqimet për bagëtitë, apo edhe heqja e uljes së çmimit të karburantit për ta.

Nga ana e saj, Ministria e Punës thotë se, më shumë se 80% e tyre deklarojnë të ardhura vjetore më pak se 5000 euro, shifër që deri më tani i linte ata jashtë taksave që paguanin pjesa tjetër e popullsisë. Ndërkohë që shteti grek kontribuon në rreth 90% të pensioneve që marrin fermerët, qeveria nën presionin e kreditorëve ka rritur tatimin për ta, kontributet për pensionet dhe ka vënë taksë mbi subvencionet që ata marrin nga BE.

Qeveria thotë se është fleksibël ndaj ndryshimeve në sistemin e pensioneve, por thekson se, pa reforma, fermerët do të mbeten pa pension. Vet kreu i qeverisë, Alexis Tsipras ka deklaruar se është i hapur për dialog me ta, por përfaqësuesit e tyre shprehen se nuk diskutojnë, nëse kryeministri nuk anulon tërësisht projektligjin.

Top Channel