Pegida mbledh “aleatët”, valë protestash antiemigrantë në BE

24/01/2016 00:00

Të shtunën, në ditën kur Angela Merkel përcillte një mesazh të fortë të saj mbi antisemitizmin, përfaqësues të lëvizjes gjermane kundër emigracionit, “Pegida”, zhvilluan në Çeki një takim me aleatët e tyre europianë.

Grupet, nga shtete të kontinentit të vjetër që ndajnë mes tyre të njëjtën mendësi, firmosën një deklaratë, ku bien dakord për protesta të përbashkëta në muajin shkurt. Kryefjala e takimit të tyre ishte paralajmërimi ndaj atij, që e shohin si rrezikun më të madh të momentit: pushtimin islamik të Europës.

Një nga aktivistet më të zëshme të “Pegida”-s, Tatjana Festerling kritikoi politikat e Berlinit e në konferencën e mbajtur në Roztoky, pranë kryeqytetit çek, Pragë, e cilësoi Gjermaninë “rrëfenjën e një paralajmërmi për BE-në, shembullin që u tregon vendeve të tjera anëtare se çfarë mund të shkojë keq, kur një shtet iu hap emigrantëve dyert e tij.

“Kancelarja Merkel po shton shumë numrin e meshkujve në Gjermani. Pjesa më e madhe e atyre 1,1 milionë emigrantëve që mbërritën vitin e kaluar ishin burra e djem”, tha Tatjana Festerling, aktiviste e “Pegida”-s.

Mikpritësja e takimit të Roztokit ishte partia çeke Usvit (Agimi) si dhe një lektor universitar, Martin Konvicka, drejtues i grupimit lokal të ekstremit të djathtë, blloku kundër islamit.

Organizatat e antiemigracionit nga shtete të ndryshme të BE-së vendosën zhvillimin e një vale protestash më 6 shkurt, duke e cilësuar këtë datë si “ditën e patriotëve europianë”. Tubimet do të mbahen në fortesën e “Pegida”-s në Dresden, në Pragë, Varshavë e qytete të tjera europiane.

“Mesazhi ynë është i thjeshtë: europianët nuk do ta dorëzojnë Europën”, tha Martin Konvicka, udhëheqës i bllokut antiIslam, Çeki.

Në Gjermani, “Pegida” fitoi popullaritet me fillimin e krizës së refugjatëve në 2014-n, ndërsa sulmet e natës së Vitit të Ri në Këln i dhanë një tjetër hov përkrahjes për lëvizjen që ushqen ndjenjat kundër të huajve në vend.

Top Channel